
Një vajzë u lënduar pasi i ra sipër çatia e objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Shefi i Urgjencës së Prishtinës, Avdyl Pacolli, thotë se viktima ka pësuar politraumë por ajo është jashtë rrezikut për jetë nën kujdesin e mjekëve.
“Flitet për një paciente, e cila e ka pësuar politraumë ndërkohë është në parametrat vital për jetën.
Ekipet e Qendrës së Mjekësisë Urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes pas thirrjes së qytetarëve edhe të Policisë.Më pas vajzën e kanë dërgu në Qendrën Emergjentë pranë SHSKUK-së.
Vajza është duke marrë trajtim në qendrën emergjente dhe është duke iu nënshtruar ekzaminimeve klinike-diagnostike“, tha Pacolli për mediat në Kosovë.
Sipas policisë rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në njoftimin e policisë. /vizionplus.tv