Gjashtë miliardë euro – ky është fondi që Bashkimi Evropian ka planifikuar të ndajë për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Plani, pak a shumë, thotë kështu: Kush i kryen reformat e parapara, i merr fondet. Ata që nuk punojnë, mbeten prapa.
Për më shumë, asnjë vend nuk do të mund ta bllokojë tjetrin në këtë proces. Madje, nëse vërehen përpjekje, ato mund të ndëshkohen.
Ndër synimet kryesore të të ashtuquajturit “Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor” është që të forcohet një treg i përbashkët rajonal, i integruar gradualisht me atë të BE-së.
Si do të funksionojë Plani?
Ai është prezantuar në nëntor të vitit 2023, dhe parasheh që dy miliardë euro të jenë fonde të pakthyeshme, ndërsa katër miliardët tjerë të jepen në formën e kredive të volitshme.
Nga secili vend është paraparë përgatitja e një agjende reformuese, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së, para vlerësimit dhe miratimit të saj nga Komisioni Evropian.
Reformat në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit janë thelbësore për të përfituar mjete nga ky Plan.
Pritjet janë që Parlamenti Evropian t’i finalizojë të gjitha procedurat deri në prillin e sivjetmë, për të mundësuar lëshimin e fondeve sa më shpejt.
Pagesat parashihen të bëhen dy herë në vit, varësisht prej rezultateve në përmbushjen e kritereve.
BE-ja ka thënë se fondet, në parim, do të ndahen varësisht prej Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të një vendi. Por, nëse një vend nuk i kryen reformat pas 1-2 vjetëve, atëherë shuma u shpërndahet vendeve të tjera.
Çfarë duhet të bëjë Kosova?
Sipas zëvendëskryeministrit kosovar, Besnik Bislimi, Kosova pritet të përfitojë 950 milionë euro – njëherësh fondin më të madh të ndarë ndonjëherë nga blloku për të, në një periudhë relativisht të shkurtër.
Bislimi ka thënë se Kosova e ka dorëzuar më 11 janar në BE listën e reformave, përmes së cilave synohet avancimi i mëtejmë i administratës publike, avancimi i menaxhimit të financave publike dhe vendosja e një fokusi në agjendën e gjelbër dhe në digjitalizim.
“Te sektori privat, fokusi është te përmirësimi i mjedisit të të bërit biznes, përmes qasjes në financa dhe përkrahjes për ndërmarrja të vogla dhe të mesme”, pati thënë Bislimi gjatë një raportimi në një komision parlamentar, në janar.
Në prezantimin fillestar, pos kritereve që vlejnë për të gjitha vendet, si parakusht specifik për Kosovën dhe Serbinë është që të bëjnë progres në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, duke i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën.
Kosova ka kërkuar disa herë që procesi i dialogut me Serbinë të mos ketë ndikim në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Por, BE-ja ka thënë muaj më parë se nuk ka më kohë për t’i pritur vendet e rajonit që t’i normalizojnë marrëdhëniet, dhe i ka porositur të veprojnë shpejt në këtë drejtim.
Përfitimet nga liria e lëvizjes
Një grup i Bankës Botërore ka vlerësuar se një treg i përbashkët rajonal do të mund të rriste PBB-në e rajonit për 10 për qind.
Për BE-në, një treg i tillë është thelbësor, për dy arsye: zhbllokon potencialin ekonomik të rajonit krijon mundësi për kompanitë vendore, duke e bërë rajonin më atraktiv për investitorët evropianë
Nga lëvizja e mallrave pritet të zvogëlohet koha e pritjes për tri orë, çka më pas do ta ulte edhe koston e tarifave për 2 për qind.
Aktualisht, ekonomia e BE-së kap vlerën e mbi 15 trilionë eurove, ndërsa ekonomia e vendeve të Ballkanit përbën vetëm 0.06 për qind të ekonomisë së bllokut, apo rreth 100 miliardë euro.
Përmendet edhe mundësia e këmbimit të shërbimeve dhe njohja e disa kualifikimeve profesionale të shtetasve të Ballkanit nga ana e BE-së.
Lehtësime pritet të ketë edhe për të rinjtë që të studiojnë në bllok, ndërsa parashihet edhe heqja e tarifave për roming për telefoninë mobile dhe internetin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Rruga drejt BE-së
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 2022 dhe tani ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me bllokun.
Vendet tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Në disa raste, është përmendur që BE-ja duhet të përgatitet për t’i pranuar anëtarët e rinj deri më 2030.
Sipas një sondazhi të kryer nga agjenci të bllokut evropian, pjesa më e madhe e banorëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se anëtarësimi në BE do të përbënte lajm të mirë./rel