Në një konferencë për integritetin e informacionit, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se në Kosovë ka aktorë të huaj keqdashës aktivë që tentojnë të minojnë demokracinë e vendit duke shfrytëzuar ndasitë etnike.
“E keni parë se si një bisedë e rreme mes meje dhe kryeministrit Kurti që dukej se synonte të mbillte mosbesim tek komuniteti serb i Kosovës, i cili u postua online. Për fat të mirë jo shumë njerëz e morën seriozisht dhe unë fola që nuk isha unë, por teknologjia po shfrytëzonte zërin tim . Dikush kishte shkruar një skenar, kishte përgatitur, kishte bërë një regjistrim për të mbjellë mosbesim dhe shqetësim tek komuniteti serb dhe e publikoi në rrjetet sociale, është indikator i problemit për të cilin po flas”, tha Hovenier.
Ai theksoi se etnitë e ndryshme në Kosovë përbëjnë forcën e saj.
“Lëvizjet e tilla tregojnë se aktoret keqdashës përpiqen të shfrytëzojnë natyrën shumetnike të Kosovës për të krijuar ndarje. Diversiteti i Kosovës është burim i forcës dhe Kosova është shtet shumë etnik, është burim i forcës dhe jo i ndasisë”, tha ambasadori.
Hovenier, i cili përfundon mandatin e tij në Kosovë në fund të dhjetorit, shtoi se SHBA mbeten të përkushtuara ndaj këtij vendi në mbështetje të mediave të pavarura, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat./vizionplus.tv