
Operacioni “Varsity” ishte beteja që i dha fund Luftës së Dytë Botërore në Evropë, por ai është pothuajse i panjohur për të gjithë, përveç adhuruesve të historisë. Bëhet fjalë për forcat britanike, kanadeze dhe amerikane që u ngritën në fluturim nga fushat ajrore të Essex më 24 mars 1945, për t’u hedhur direkt në majë të linjave gjermane në lumin Rhine.
Parashutistët dhe aeroplanët e mbushur me njerëz udhëtuan në kushte të ashpra luftimi, të cilat rezultuan me sukses, por me humbje të mëdha jetësh. Rreth 6 javë më vonë, në Evropë u shpall fitorja mbi nazizmin.
Chris Bullock ka organizuar një takim në një nga aeroportet e nisjes për të kujtuar ata që vdiqën, duke u shprehur se kjo “është një histori e patreguar”.
“Kur sheh një foto të atyre burrave në fushën e Rivenhall me pijen e tyre të fundit, duke drejtuar lart gishtin e madh dhe shenjën V për fitore përpara se të futen në avionët e tyre dhe të dish se disa prej tyre nuk u kthyen më në shtëpi pasi brenda 3 orëve ata kishin vdekur është e rëndësishme të tregohet si histori”, – thotë ai.
Peter Davies, 102 vjeç, u ngrit nga fusha Woodbridge në Suffolk me një aeroplan “Dakota” dhe mbante “një armë 17 poundesh, një automjet tërheqës dhe një detashment armësh dhe 8 persona”. Ai kishte dalë vullnetar për Regjimentin e Pilotëve Glider në vitin 1942, sepse mendonte se do të ishte “më emocionuese” se koha si këmbësor në një njësi anti-ajrore të Artilerisë Mbretërore Britanike.
“Është si të fluturosh me një tullë. Ka vetëm një rrugë dhe ajo është poshtë” – thotë Davies duke përshkruar se si ishte pasi doli nga aeroplani. “Ishte si një ferr i madh. Ne humbëm kontrollin dhe pasi humbëm një pjesë të madhe të një krahu, po tërhiqeshim gjithnjë e më thellë në tokën e armikut. Kur goditëm tokën, dhe dua të them goditur, ne ishim në vendin e gabuar mes një toge gjermanësh shumë të zemëruar dhe ishte kaos total” – tregon ai.
Një aeroplan amerikan zbriti brenda 50 metrash pranë tij, por “asnjë njeri nuk doli i gjallë sepse gjermanët ishin gjithashtu atje”. Me bashkë-pilotin Bert Bowman, ai kaloi nëpërmjet fushës së betejës në zonën ku duhet të uleshin dhe u kthye në Britani.
“Aleatët zbarkuan drejtpërdrejt mbi gjermanët dhe shumë avionë u rrëzuan dhe shumë parashutistë u qëlluan në qiell. 80 njerëz nga Rivenhall humbën jetën” – thotë Bullock, 56 vjeç, i cili shërbeu në Batalionin e 3-të, Regjimentin e Parashutëve për 25 vjet.
“Varsity” ishte operacioni më i madh i vetëm ajror në histori, me më shumë se 16 mijë burra që u hodhën në Gjermaninë perëndimore në të njëjtën ditë. Qëllimi i tij ishte të krijonte një urë mbi lumin Rhine për përparimin kryesor të aleatëve në Gjermani dhe të shtynte me shpejtësi drejt forcave ruse që po vinin nga lindja.
Pjesa e parë ishte sulmi tokësor nëpërmjet Operacionit Plunder, “i cili ishte kalimi më i madh i lumit ndonjëherë dhe u krye nga forcat britanike dhe kanadeze”, – thotë Bullock. Synimi ishte që trupat amfibe në anën perëndimore të Rinit të bashkoheshin me trupat ajrore të zbritura në lindje të tij.
“Nëse nuk do të dilnim vullnetarë, na thanë se nuk do të fluturonim më kurrë dhe do të na detyronin të bashkoheshim me këmbësorinë ose të dërgoheshim në minierë” – tha Latham, 101 vjeç, nga Uellsi.
“Gjithçka ishte shumë emocionuese dhe zbritëm aty ku duhej, në Hamminkeln”, tha ai. “Ne ishim pranë një ure që mbahej nga Royal Ulster Rifles, e cila u sulmua nga tanket gjermane derisa mbërriti ushtria e dytë britanike duke kaluar Rhine”.
Të paktën 1070 anëtarë të Divizionit të 17-të Ajror të SHBA-së dhe Divizionit të 6-të Ajror Britanik, i cili përfshinte kanadezët, u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën. “Por brenda 4 apo 5 orësh ne kishim arritur atë që ishim nisur për të bërë,” tha zoti Mason.
“3 javë pas Varsity, kampi i përqendrimit në Belsen u çlirua. Dy javë më pas, Hitleri vrau veten dhe një javë pas kësaj Gjermania kapitulloi. Ndoshta nuk flitet për këtë, sepse ngjarjet e kaluan veten” –thotë ai. ©LAPSI.al
Operacioni Varsity/ Beteja e panjohur që ndihmoi në fundin e Luftës së Dytë Botërore appeared first on Lapsi.al.