Në vitin 1932 u shkëmbye një korrespondencë midis dy prej mendjeve më të mëdha të kohës, fizikanit Albert Einstein dhe psikiatrit Sigmund Freud, në lidhje me problemin e mundësisë të shmangies të një lufte të re botërore.

Ende nuk ishin tharrë plagët e Luftës të parë botërore dhe kishte shenja të shumta se njerëzimi do të hynte përsëri në një luftë tjetër, mbase më të egër dhe më me pasoja se e para.

Shqetësimi i këtyre dy mendjeve dhe shpirtrave fisnike për fatet e njerëzimit është impresionues; letra e mëposhtme, mbase është pak e gjatë dhe e lodheshme, por ia vlen t’i shkohet deri në fund, veçanërisht për ata që pëlqejnë vërtet të mendojnë.

Letra e Sigmund Freud për Albert Einstein

Viennë, shtator 1932

I dashur zoti Einstein

Duke mësuar që ju dëshironi të më ftoni në një shkëmbim pikpamjesh mbi një subjekt që ju shfaqni interes dhe që mendoni se është edhe në interesin e shumë personave të tjerë, unë nuk po hezitoj që t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese. Unë mendoja paraprakisht se ju do të kishit përzgjedhur për trajtim një problem të ndryshëm nga ky, ku ne të dy, ju si fizikant dhe unë si psikiatër, të trajtonim të njëjtin problem nga këndvështrime të ndryshme dhe të mbrrinim në rezultate të njëjta me rrugë të ndryshme. Kështu që më kini sinqerisht habitur kur shtroni pyetjen se: “ Ç’farë mund të bëjmë Ne për t’i shpëtuar njerëzit nga kërcenimi i luftës?“.

Të them të vërtetën e ndjej veten të paaftë të jap rekomandime praktike të kësaj çështje, për të cilën janë kompetente burrat e Shtetit. Jam i bindur se ju nuk e kini shtruar problemin në cilësinë e një njeriu të shkencës dhe fizikës, por si një mik i njerëzve, duke ju përgjigjur pozitivisht thirrjes të Lidhjes të Kombeve. Mendoj gjithashtu se nuk duhet të prisni nga mua t’u jap receta praktike, por do të kufizohem duke ekspozuar ruajtjen e paqes nëpermjet këndvështrimit psikologjik.

Në letrën tuaj ju shtruat çështjen e raportit midis të “DREJTËS” dhe “FORCËS”. Pikërisht që këtu duhet filluar edhe rrugëtimi ynë. Më lejoni që në vend të fjalës force, të përdor një termë më të goditur “DHUNË”. Aktualisht e “drejta“ dhe “dhuna” janë antinomi. Është e lehtë të vërtetohet se njëra derivon prej tjetrës dhe nëse shkojmë në origjinën primitive të shoqërisë njerëzore, për të analizuar se si kanë rrjedhur ngjarjet, zgjidhja e problemit na lehtësohet shumë.

Si parim, konfliktet e interesave midis njerëzve, janë zgjidhur nëpërmjet dhunës. Po kështu është edhe në mbretërinë e kafshëve, në të cilën bën pjesë edhe Njeriu. Njeriu ju shton këtyre interesave të botës së gjallë edhe konfliktin e opinioneve, duke e çuar atë në shkallën më të lartë të abstraksionit, zgjidhja e së cilës duket sikur kërkon teknika të ndryshme. Por kjo është vetëm se aparente. Që në ag të gjinisë njerëzore, tek familja e kufizuar e hommo sapiensit, ka qënë Forca muskulare ajo që ka vendosur se i kujt është ky send dhe i kujt ai tjetri, ose vullneti i kujt duhet të sundonte. Më vonë forca muskulare u shoqërua edhe me përdorimin e mjeteve (armëve).

Fitorja i buzëqeshte atij ose atyre që dispononin armët më të mira apo zotëronin shkathtësinë më të madhe në përdorimin e tyre. Shfaqja e armëve në betejen për superioritet shënoi fillimin e supremacisë Intelektuale, që i zuri vendin supremacisë muskulare. Por qëllimi final i luftës mbeti i pandryshuar: njëra palë ndërluftuse duhet të nënshtrohej dhe të detyrohej të lëshonte atë send që zoteronte ose të kryente atë veprim që i impononte kundërshtari. Siguria maksimale e fituesit të kësaj lufte ishte kur ai e eliminonte fizikisht palën tjetër sepse zhdukej mundësia praktike që i munduri, pas një farë kohe, ta rimerte veten dhe të ndërmerrte veprime që të rivendoste gjendjen e mëparshme.

Ky eliminim fizik gjithashtu shërbente edhe si shembull për të tjerët që të rinin urtë dhe të mos rebeloheshin sepse tashmë shembulli ishte dhënë. Nga ana tjetër eliminimi fizik i kundërshtarit kënaqte edhe predispozitën e instiktit agresiv që kërkonte të çlirohej. Por më vonë u gjykua që është më e leverdisëshme që kundërshtari të mos vritet por të detyrohet të kryejë disa shërbime në favor të fitimtarit, me kushtin që t’i shpëtohej jeta. Në këtë rast dhuna u mjaftua të kënaqej nga nënshtrimi se sa nga vrasja. Kështu filloi ajo që quhet në Histori – Skllavëria. Por fitimtari cedoi diçka nga siguria e tij, sepse i munduri i gjallë ishte gjithmonë potencialisht një kërcenim i vazdueshëm për fitimtarin.

E tillë ishte gjendja fillestare e shoqërisë njerëzore – sundimi i forcës, fizike në fillim dhe intelektuale më vonë. Dihet historikisht që me kalimin e kohës ky regjim u modifikua gradualisht. Dhuna i la vendin së Drejtës – por të kujt? Rivaliteti mbeti përsëri, por të dobëtit u bashkuan – bashkimi bën fuqinë, për të kundërbalancuar të fortin. Përballë të fortit u vendos bashkimi i shumë të dobëtve. Pra e Drejta është forca e një Komuniteti. Dhuna është po ajo, gjithmonë e gatshme të godasë këdo individ që nuk i nënshtrohet asaj, që punon me po të njëjtat mjete, që synon po të njëjtat qëllime.

Ndryshimi i vetëm është se nuk triumfon dhuna e një Individi por ajo e një Komuniteti. Por që të kryhet ky kalim, nga dhuna në të drejtën e re, duhet të plotësohet një kusht psikologjik: Bashkimi i numrave duhet të jetë i qëndrueshëm dhe afatgjatë. Në se ai bëhet vetëm për të luftuar një më të fuqishëm sa është gjallë ai, rezultati do të jetë zero. I pari që do ta çmojë veten si më i forti do të synojë të vendosë një hegjemoni force dhe kështu loja përsëritet pafundësisht. Komuniteti duhet mbajtur në vazhdimësi, i organizuar, duke vendosur regulla që të pengonin çdo rebelim të mundshëm, duke përcaktuar mjetet që do të siguronin mbajtjen në këmbë të këtyre regullave – LIGJET, dhe organet që do të siguronin ekzekutimet e akteve të dhunës sipas ligjit – SHTETIN. Kështu midis antarëve të grupit u formësua ndjenja e kolektivitetit, mbi të cilën bazohet në fund të fundit forca e kolektivitetit.

Basoj se kështu i kam thënë të gjitha gjerat kryesore: triumfi mbi dhunën u be nëpërmjet transferimit të pushtetit tek një njësi më e madhe – Komuniteti, e çimentuar kjo edhe me një marrëdhënie ndjenjash midis antarëve të tij – Solidariteti. Por problemi është i thjeshtë përsa kohë komuniteti do të përbëhej nga individë me forcë të barabartë. Ligjet e këtij bashkimi fiksojnë, përsa i përket shfaqes të dhunshme të forcës, pjesën e lirive personale prej të cilave individi duhet të heqë dorë në mënyrë që jeta në komunitet të mund të vazhdojë qetësisht.

Por një qetësi e tillë mund të konceptohet vetëm teorikisht. Në fakt kursi i gjërave komplikohet sepse komuniteti që në origjinë, përbëhet nga individë me fuqi të pabarabarta – burra dhe gra, prindër dhe fëmijë, të mençur dhe mediokër dhe lufta krijon fitimtarë dhe të mundur, që i shdërron të parët në zotërinj dhe të dytët në skllevër. E drejta e komunitetit do të jetë, qysh atëhere, shprehje e këtyre pabarazive pushteti, ligjet do të bëhen prej dhe për sundimtarët dhe do t’u lihet pak hapësirë veprimi të sunduarve. Nga ky moment rendi legal gjendet përballë dy kërcënimeve: së pari, tendenca e njërit apo tjetrit zotëri për t’u ngritur mbi kufizimet e aplikuara nga të barabartët si ai, për të ardhur përsëri nga rendi i së drejtës tek rendi i dhunës.

Së dyti, përpjekjet e vazhdueshme të të sunduarve për të zgjeruar pushtetin e tyre, duke e kërkuar këtë nëpërmjet fiksimit të tyre në ligje, duke kërkuar kalimin nga e drejta e pabarabartë tek barazia e të drejtave për të gjithë. Ky drejtim i dytë bëhet veçanërisht shqetësues kur në gjirin e komunitetit vihet në pikëpyetje legjitimimi i pushtetit, për shkaqe të ndryshme historike. Në këto raste e Drejta duhet të përshtatet me kushtet e reja të krijuara, kur klasa drejtuese nuk është në gjendje të kuptojë domethënien e këtyre ndryshimeve sociale: – Kështu fillon Revolucioni, lufta civile, ku lihet mënjanë e drejta ekzistuese për t’ia lenë vendin përdorimit të dhunës, e cila nga ana e saj instalon një regjim të ri të së drejtes. Por ka edhe një burim tjetër të trasformimit të së drejtës, që shfaqet në rrugë paqësore, dhe ky është ndryshimi i kulturës të antarëve të komunitetit. Por këtë do ta trajtoj në një shkrim tjetër.

Në prag të luftës/ Letra e Freud për Einstein në 1932 që nuk duhet humbur appeared first on Lapsi.al.

Share.
Exit mobile version