Ndër dëshmitë më serioze për Luftën Antifashiste në Shqipëri, është padyshim libri i gazetarit amerikan Peter Lucas, “Misioni amerikan në Shqipëri. Operacionet sekrete të OSS-it dhe bashkëpunimi me partizanët komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Në atë libër, të përkthyer dhe botuar tashmë edhe në gjuhën shqipe flitet edhe për Çlirimin e Tiranës. Më poshtë lapsi.al sjell pjesën kur flitet për këtë çështje meqë kjo e diel shënon 80-vjetorin e kësaj ngjarjeje.
“Enver Hoxha nga Berati urdhëroi Mehmet Shehun për çlirimin e Tiranës. Ky i fundit e mori urdhërin me datën 15 shtator 1944 në shtabin e Divizionit të parë të tij partizan jashtë Tiranës dhe e priti me kënaqësi urdhërin. Lufta për Tiranën ka qenë beteja e parë e madhe, e cila mbeti e vetmja e UNÇSH si e tillë. Ajo ndodhi në kohën kur numri i partizanëve kishte arritur dikund tek 30000 (sipas burimeve britanike) dhe 40000 (sipas burimeve amerikane).
Pjesa më e madhe e kësaj ushtrie që qëndronte jashtë Tiranës ishin burra dhe djem fshatarë, të paarsimuar, që pak merrnin vesh nga çështjet politike dhe ushtarake dhe aq më pak nga komunizmi. Ajo që i bashkonte ata ishte urrejtja ndaj gjermanëve si pushtues, që kishte shkatërruar masivisht Shqipërinë e Jugut. Shehu e kishte përgatitur Divizionin e parë partizan ashtu sikurse ai dinte. Ajo nuk i ngjante një ushtrie të mirëfilltë. Ushtria në kuptimin që ka kjo fjalë në botën moderne nuk kishte rëndësi për këta burra të ashpër, mjekëroshë dhe rakipirës, shkruhet në Raportin e OSS të shtatorit 1944.
Para fillimit të sulmit final me datën 11 nëntor, së paku 125 gjermanë u dorëzuan në duart e misionit amerikan në rrethinat e Tiranës dhe më pas iu kaluan partizanëve dhe fati i tyre mbrapa asnjëherë nuk u mor vesh. Partizanët vazhdonin politikën e tyre të filluar me kohë të ekzekutimit të robërve të luftës, një veprimtari e mirëfilltë terroriste.
Me 11 nëntor 1944, Mehmet Shehu urdhëroi fillimin e sulmit final mbi Tiranë, pikërisht në momentin kur morali i trupave gjermane dhe mbështetësve të tyre shqiptare kishte rënë dhe një pjesë kishin filluar lëvizjen drejt Shkodrës për në Mal të Zi. Por ndërkohë që në qytet zhvilloheshin luftime të mëdha, një zhvillim i papritur për të gjithë rrethuesit u zhvillua nën periferi të Tiranës në rrugën Elbasan – Tiranë, kur Korpusi 22 gjerman me rreth tre mijë ushtare me tanke dhe artileri, që vinte nga Kosova në Strugë, Elbasan, vendosi të ndiqte rrugën e Qafë Krrabës për në Tiranë, me dy objektiva kryesore: shpëtimin e të rrethuarve në Tiranë dhe pastaj evakuimin drejt Shkodrës.
Pra, 25 milje në jug të Tiranës forca të mëdha gjermane të përbëra nga 5000 trupa dhe më shumë se 300 tanke kishin mbërritur në Elbasan dhe në ndara në dy kolona, Gjysma lëvizi drejt Veriut në një përpjekje për të lehtësuar rrethimin e kryeqytetit dhe gjysma tjetër lëvizi drejt perëndimit në përpjekje për të arritur Durrësin përmes Peqinit. Para se të mbërrinin në Tiranë kolona e gjatë gjermane u godit nga avionët gjuajtës të Aleatëve sapo kaluan kthesat malore të rrugës së Qafë Krrabës dhe u shkatërruan në betejën e Mushqetas, ku u priten edhe nga forcat partizane që bënë krehjen përfundimtare në terren. Sikur mos të ishte ndërhyrja e avionëve aleatë që bënë kërdinë dhe e shkatërruan pa hapësirë shpëtimi autokolonën gjermane, sulmi mbi pjesën e mbetur të gjermanëve nga ana e partizanëve, nuk do të hapej si mundësi. Behej fjalë për një njësi të fuqishme dhe mjaft mirë të motorizuar e cila mund të kishte bërë kërdinë mbi partizanët dhe mbi popullsinë e Tiranës.
Njësitë e trupave britanike të Long Range Desert Group një njësi sulmi e trupave elitë britanike, në një sulm të koordinuar, arritën të kryenin procesin e shkatërrimit të rrugës kryesore Elbasan-Tiranë. Këtij procesi iu bashkëngjitën forcat e UNÇSH që bashkërisht ndalën dhe i detyruan të ktheheshin mbrapsht trupat gjermane ndërsa aeroplanët e Balkan Air Force, përmes zbritjeve dhe bombardimeve nga kuota të ulëta e shkatërruan transportin gjerman, duke i shkaktuar një përqindje të lartë humbjesh. Forcat e UNÇSH me sulmet e tyre arritën që të kapin pothuajse të gjithë tanket armike në drejtim të Elbasan Tiranë.
Ato gjermane që mbijetuan arritën në rrethinat e Tiranës vetëm kur Tirana ra në duart e partizaneve. Kolona e dytë u ndal prej partizaneve të tjerë në Peqin ku u zhvilluan luftime të ashpra që rezultuan me viktima te reja nga ana e personelit gjerman. Si rezultat e këtyre aksioneve diversive, forcat kryesore partizane të Divizionit të parë, të përforcuara nga njësi të reja, qenë në gjendje të hyjnë në fazën finale, atë të likuidimit të pikave së përforcuar strategjike gjermane dhe çlirimin e qytetit.
Llogaritet që 1500 gjermanë u vranë, 150 u kapën rob dhe pjesa tjetër ia mbathi kodrave për të shpëtuar. Karvani nga Elbasani për në Tiranë u shkatërrua plotësisht, por ajo çfarë ka ndodhur ka qenë një masakër e vërtetë, një kurth pa shpëtim për ushtrinë gjermane dhe kjo falë avionëve britanike të thirrur nga oficerët anglezë të LRDG. Fati i betejës së Tiranës u vendos në Mushqeta. Partizanët humbën 20 ushtarë dhe 30 u plagosën. Shehu i vetëm nuk do të mund të shkaktonte një dëm kaq shkatërrimtar kolonës gjermane pasi nuk kishte as forca ajrore dhe as artileri. Ka qenë forca ajrore Aleate që shkatërroi kolonën gjermane ndërsa partizanët kryen ç’kishte mbetur, për t’u bërë në këtë operacion.
Gjermanët në qytetin e Tiranës përdorën një sistem rrethor të mbrojtjes që kontrollonte rrugët që të çonin në qytet dhe të gjitha rrugët që të çonin në qendër të qytetit. Gjermanët, duke kuptuar se pozicionet e tyre ishin të dobëta u vunë në zotërim në tre pika strategjike të përforcuara në kryeqytet: barrakat e Ali Rizait që kontrollonte rrugën nga Durrësi, Pallati i ri që kontrollonte rrugën nga Elbasani dhe Sheshi Skenderbe, nga ku artileria gjermane ishte në gjendje të mbizotëronte të gjitha rrugët që çonin në qendër të qytetit. Nga këto tre pozicione, gjermanët qenë në gjendje të zmbrapsnin sulmet e përsëritura partizane. Në këto rrethana, u kërkua mbështetje ajrore nga Italia, aeroplanët e Balkan Air Force, bombarduesit dhe lëshuesit e raketave. Mbi 200 avionë të distancave të largëta (Beaufighters) morën pjesë në bombardimin e pikave strategjike të Tiranës të mbajtura nga gjermanët.
Nga data 5 nëntor, aeroplanët Balkan Air Forces vepruan me maksimumin e përpjekjeve të tyre dhe vetëm kushtet e këqija atmosferike i ndalën programet për mbështetje të pandalshme të forcave në terren. Katër sulme në shkallë të gjerë u bënë mbi Kazermat e Ali Rizait dhe në Pallatin e Ri. U bombarduan urat mbi rrugët kryesore që të çonin në kryeqytet dhe një vëzhgim jetësor nga ajri u ruajt mbi zonën e kryeqytetit, duke llogaritur për një proporcion tankeve armike dhe duke e parandaluar armikun të grumbullonte një forca të mëdha në çdo pikë.
Prej datë 12 nëntor, Elbasani u çlirua, duke detyruar trupat e mbetura të merrnin rrugën drejt Tiranës. Me 13 nëntor, partizanët pushtuan pozicionet veriore të Sheshit Skendebej dhe në pjesë jugore të qytetit, partizanët e brigades 4 arritën Stadiumin e Sporteve të Tiranës. Armiku pësoi humbje të mëdha për shkak të përhapjes së luftimeve dhe mungesës së një fronti të qartë dhe kështu gjermanët nuk arritën të merrnin avantazhet që kishin në artileri.
Më datën 17 nëntor, Tirana u zu plotësisht nga forcat e UNÇSH dhe rezistenca gjermane kishte marrë fund në të gjithë trekëndëshin Tiranë – Durrës – Elbasan. Megjithëse një vlerësim i përgjithshëm i humbjeve nuk qe i mundur të bëhej. Për humbjet gjermane, llogaritet që humbjet gjermane të vrarë dhe të zënë rob i kalojnë 2000 (Mushqeta-Tiranë).
Një raport i OSS tregon se disa prej gjermanëve të vdekur ishin gjermanë të plagosur që u vranë nga partizanët: “Politika e UNÇSH ndaj gjermanëve të plagosur ishte të mos kishte të tillë. Kështu shumica e gjermanëve që u gjetën të plagosur u vranë pamëshirshëm, pa një pa dy. Burimi thotë se nuk ka parë të jetojë ndonjë gjerman i plagosur. Shumë pak robër u mbajtën nga UNÇSH”. Partizanët humbën 127 njerëz dhe 290 të plagosur.
Në botimet e gazetarit amerikan Peter Lucas për hyrjen e komunistëve të Hoxhës në Tiranën e çliruar ka disa paragrafë mbi një pritje në hotel Dajti dhe përpjekjet e biznesmenëve dhe familjeve të mëdha shqiptare që kishin qenë armiqësorë me komunistët për t’u afruar me ta nëpërmjet oficerëve aleatë që qëndronin atë kohë pranë Hoxhës.
“Nuk vonoi dhe të gjitha figurat udhëheqëse shkuan në hotel për një pritje festive ku shpërtheu një debat mbi ekspozimin e flamujve në kryeqytet. Anglezët ekspozuan flamurin amerikan krahas atij britanik. Mosngritja e flamurit të Bashkimit Sovjetik, anëtari i tretë i aleancës Aleate, çoi në protestë nga ana e rusëve. Si sovjetët dhe shqiptarët iu ankuan Stefanit. Stefani i bëri kabëll Fulcit. Në një farë mënyre çështja u zgjidh dhe pritja vazhdoi.
Ishin aty Hoxha dhe të gjithë gjeneralët dhe kolonelët, të veshur me uniformat e tyre më të mira. Disa, si Shehu, sollën gratë, megjithëse shumica nuk vepruan kështu. Ekziston një fotografi e rrallë e Fiqret Shehut të ulur midis një çifti oficerësh anglezë dhe Shehut në një tavolinë të pajisur mirë me ushqime.
Stefani kishte ndryshuar uniformën me një enkas për pritje, sikurse bënë edhe togerët Kukiç dhe O’Kifi si dhe kolonelët anglezë Markus Llajën dhe Alan Palmer. Oficerët aleatë u përzien me gjeneralët shqiptarë si dhe disa oficerë sovjetë dhe jugosllavë që ishin të gatshëm.
Kamerierët me bluza të bardha të hotel Dajtit, që kishin punuar për italianët, shërbyen darkën nëpër tavolina të mbushura me enë të bukura prej porcelani. Rakia, uiski, vodka, konjaku dhe vera derdheshin lumë kur ngriheshin dolli njëra pas tjetrës për çlirimin e Tiranës.
Pritja koktejl/drekë ishte e para dhe e fundit e këtij lloji në Tiranë. Hoxha dhe stafi i tij nuk do të takoheshin dhe nuk do të përziheshin më me Aleatët në ndonjë ngjarje si kjo…”
Pas drekës, Enver Hoxha nuk humbi kohë. Në ditët që pasuan, ai veproi me shpejtësi për të vendosur rendin në qytet, duke e vënë qytetin dhe vendin realisht nën rendin ushtarak. Megjithëse Hoxha deklaroi një amnisti për njerëzit që kishin anuar ose simpatizuar Ballin Kombëtar dhe gjermanët, “amnistia” u injorua ose u harrua shumë shpejt. ©Përgatiti LAPSI.al
80-vjetori/ Historia e çlirimit të Tiranës e treguar nga një amerikan appeared first on Lapsi.al.