Presidenti rus Vladimir Putin votoi sot online në ditën e parë të zgjedhjeve presidenciale. Në këto zgjedhje, ai pritet gjerësisht të fitojë dhe të rizgjidhet për një mandat të ri gjashtëvjeçar në mungesë të një kundërshtari.

Në pamjet e transmetuara nga televizioni publik, Putin hyn në një zyrë dhe ulet para një kompjuteri, me dy flamuj rusë në sfond.

Mesazhi “Faleminderit, ju keni votuar me sukses” më pas shfaqet në ekranin e kompjuterit.

Të paktën 13 të arrestuar për sulme dhe dëmtime në qendrat e votimit

Ndërkohë sot janë arrestuar të paktën 13 persona me akuzën e shkaktimit të dëmeve apo sulmeve ndaj qendrave të votimit, sipas autoriteteve. Motivet e sulmeve nuk janë bërë të qarta dhe nuk dihet nëse janë aksione proteste kundër qeverisë.

OJQ-ja OVD-Info, një organizatë e pavarur mediatike ruse për të drejtat e njeriut ka paralajmëruar për mashtrime të mundshme telefonike, të zakonshme në Rusi, në të cilat autorët do të premtojnë kompensim financiar për ata që fillojnë sulmet në qendrat e votimit.

Kryetarja e Komisionit Zgjedhor, Ela Pamfilova, tha se këta persona që bëjnë mashtrimet telefonike veprojnë me paratë e premtuara nga “mashtruesit e jashtëm”.

Në Shën Petersburg, një grua e re hodhi një koktej molotovi në hyrje të një qendre votimi në një shkollë, duke mos shkaktuar viktima, sipas një zyrtari lokal. Ai më pas u arrestua, sipas medias lokale Fontanka.

Në Moskë, një grua u arrestua pasi “i vuri zjarrin” një ekrani zgjedhor , njoftoi agjencia e lajmeve Ria Novosti.

Një video e publikuar nga media Baza tregon flakët në zonë, të cilat janë shuar me shpejtësi.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, kanë nisur hetimet për “pengim të ushtrimit të të drejtave zgjedhore apo punës së komisioneve zgjedhore”, vepër e cila sipas autoriteteve dënohet me “deri në 5 vjet” burg./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version