Kreu i Telegram , Pavel Durov, është akuzuar nga drejtësia franceze për lejimin e aktivitetit kriminal në aplikacionin e mesazheve, por shmangu burgun me një garanci prej 5 milionë euro.
Multimiliarderi me origjinë ruse, i cili ka nënshtetësi franceze, u lirua me kusht dhe të paraqitej para autoriteteve policore dy herë në javë dhe të qëndronte në Francë, tha në një deklaratë prokurorja e Parisit Laure Beccuau.
Akuzat kundër Durov përfshijnë bashkëpunim në përhapjen e imazheve seksuale të fëmijëve dhe një sërë shkeljesh të tjera në aplikacionin e mesazheve, shkruan The Guardian.
Durov, u arrestua në aeroportin Le Bourget dhe akuzohet për shkëmbimin e imazheve seksuale të fëmijëve, trafikun e drogës dhe mashtrimin.
Arrestimi i tij ka vënë në qendër të vëmendjes përgjegjësinë penale të Telegram, aplikacionit popullor me rreth 1 miliard përdorues, dhe ka ndezur debatin mbi lirinë e fjalës dhe censurën.
Në një deklaratë të dielën, Telegram tha se respektonte ligjet e Bashkimit Evropian dhe se moderimi i tij ishte “brenda standardeve të industrisë dhe vazhdimisht po përmirësohej”.
“Drejtori ekzekutiv i Telegram, Pavel Durov, nuk ka asgjë për të fshehur dhe udhëton shpesh në Evropë,” tha ai. “Është absurde të pretendosh se një platformë, ose pronari i saj, janë përgjegjës për abuzimin e asaj platforme.”
Ndërkohë që në një reagim të pak ditëve më parë, presidenti francez Emanuel Macron deklaroi se arrestimi i Durov nuk ishte një vendim politik.
Telegrami është monitoruar prej kohësh nga afër nga agjencitë e zbatimit të ligjit në mbarë botën për shkak të përdorimit të tij të dyshuar nga organizatat terroriste, trafikantët e drogës, tregtarët e armëve dhe grupet ekstremiste të ekstremit të djathtë për komunikim, rekrutim dhe koordinim./vizionplus.tv