
Një detektiv i Santa Fe e ka quajtur vdekjen e Gene Hackman , gruas së tij , Betsy Arakawa , dhe qenit të tyre “të dyshimta”, sipas një raporti të ri nga TMZ. Aktori legjendar i Hollivudit u gjet i vdekur në shtëpinë e tij , së bashku me gruan dhe qenin e tyre.
Sipas një deklarate nga detektivi, të cilin media citon, gjatë aplikimit të tij për një urdhër kontrolli, ai përcaktoi se vdekjet kërkonin një hetim të plotë. Arsyeja ishte se personi që raportoi ngjarjen tek autoritetet e gjeti derën e hyrjes së çiftit të hapur dhe të pasiguruar, ndërsa pranë trupit të pajetë të Betsy Arakawa kishte një shishe të hapur ilaçi, me pilula të shpërndara në dysheme.
Në raportin e policisë thuhet se trupi i Gene Hackman u gjet në një dhomë të ndryshme nga ajo e Arakawa-s dhe “nuk kishte shenja të rrjedhjes së gazit”.
Pak orë më parë, vajza e aktorit, Elizabeth Gene Hackman, shprehu dyshimin se Gene Hackman dhe gruaja e tij mund të kenë humbur jetën për shkak të helmimit me monoksid karboni. Në një prononcim për TMZ, ajo tha se ndonëse familja ende nuk ka një raport zyrtar mjeko-ligjor, ekziston mundësia që vdekja e tyre të jetë për shkak të thithjes së gazeve toksike.
Në shtëpi janë gjetur edhe dy qen të tjerë, të cilët të dy janë gjallë.
Sipas një raporti të TMZ, gruaja mund të ketë vdekur prej disa kohësh, pasi trupi i saj shfaqte “shenja dekompozimi, me ënjtje të fytyrës dhe mumifikimin e duarve dhe këmbëve”. Gene Hackman, nga ana tjetër, u gjet “i veshur normalisht”, me syzet e diellit të vendosura afër trupit, gjë që mund të tregojë se ai u rrëzua, sipas të njëjtit burim.
/vizionplus.tv