Ramazani është zakonisht muaj i mëshirës, bamirësisë dhe festës.

Por, në Afganistanin e dërrmuar nga kriza humanitare, ai ka rënë nën hijen e urisë, varfërisë dhe papunësisë.

Miliona banorë të këtij vendi mbijetojnë vetëm me bukë e ujë.

“Nuk kemi asgjë për të ngrënë në iftar”, thotë Maria, nënë e tre fëmijëve, që jeton në Kabul.

Iftari është vakti i mbrëmjes, me të cilin prishet agjërimi gjatë Ramazanit, dhe shtrohet pas perëndimit të diellit.

Maria, burri i së cilës është i varur nga droga, kujdeset e vetme për familjen.

Por, talibanët, të cilët e morën pushtetin në Afganistan në vitin 2021, ndaluan shumicën e grave të punojnë jashtë shtëpive të tyre.

“Nuk do të mund ta festojmë as Bajramin”, thotë Maria, duke iu referuar festës që shënon fundin e Ramazanit, i cili këtë vit nisi më 11 mars.

Abdul Qadir është një nga më shumë se 500.000 refugjatët dhe migrantët afganë, që u dëbuan nga Pakistani fqinj që nga tetori i vitit të kaluar.

Në pamundësi për ta ushqyer familjen e tij, ai thotë se nuk mund ta agjërojë Ramazanin sivjet.

“Është e pamundur të agjërosh kur nuk ke asgjë për të ngrënë [në mbrëmje]”, thotë Qadir, i cili jeton në provincën lindore të Laghmanit.

“Ekonomia është absolutisht zero. Nuk ka punë”, thotë ai.

Kriza të shumëfishta

Ramazani përkoi me një krizë shkatërruese humanitare dhe ekonomike në Afganistan.

Rreth 24 milionë njerëz nga rreth 40 milionë sa ka ky vend, do të kenë nevojë për mbështetje humanitare këtë vit, thanë Kombet e Bashkuara më 10 mars.

Programi Botëror i Ushqimit tha se rreth 4 milionë afganë janë të kequshqyer në mënyrë akute, përfshirë mbi 3 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare.

Në një raport të publikuar më 10 mars, Banka Botërore tha se Afganistani po përjeton deflacion në mes të aktivitetit të dobët ekonomik.

Ajo, gjithashtu, raportoi për rënie të konsiderueshme të eksporteve të Afganistanit dhe zhvlerësim të monedhës kombëtare.

Marrja e Afganistanit nga talibanët në vitin 2021 shkaktoi kolaps ekonomik dhe përkeqësoi krizën e madhe humanitare.

Grupet e ndihmës i vazhduan operacionet e tyre humanitare, megjithëse shkurtimet e mëdha në fondet ndërkombëtare ua kufizuan aktivitetet.

Qeveria talibane, e cila mbetet e panjohur dhe e sanksionuar nga komuniteti ndërkombëtar, duket se është e paaftë në trajtimin e krizave.

Fatkeqësitë natyrore, si tërmetet dhe thatësira, ashtu si dhe fluksi i mbi 1 milion refugjatëve afganë nga vendet fqinje, e përkeqësuan edhe më situatën e rëndë humanitare në vendin e shkatërruar nga lufta.

“Nuk mund t’ia dalim”

Shumë afganë po e anashkalojnë Ramazanin këtë vit, për shkak të kufizimeve në rritje të financave.

“Si të gjithë ata që i njoh, unë vuaj nga presione të mëdha ekonomike”, thotë Mursal, ish-nëpunëse civile në Qeverinë e mëparshme afgane të mbështetur nga Perëndimi, e cila tani është e papunë.

“Unë nuk mund t’i përballoj pritshmëritë dhe kërkesat e Ramazanit”, thotë ajo, e cila jeton me familjen e saj në Kabul.

Nida Ahmadi, mësuese në provincën veriore të Parvanit, thotë se ka marrë një hua për të qenë në gjendje për të agjëruar.

“Por, nuk mjafton”, thotë ajo, familja 7-anëtarëshe e së cilës varet kryesisht prej pagës së saj, që është rreth 200 dollarë në muaj.

“Kur shkoj në treg, pyes veten se çfarë të blej me ato pak para që kam”, përfundon Ahmadi./REL/

Share.
Exit mobile version