Rusia dhe Ukraina kanë negociuar me Turqinë për dy muaj për një marrëveshje për sigurinë e lundrimit në Detin e Zi. Mësohet se ishte arritur një tekst, i cili do të shpallej nga ankaraja, por Kievi u tërhoq papritur, i thanë Reuters katër burime me njohuri për këtë çështje.
Negociatat u ndërmjetësuan nga Turqia me kërkesë të Kombeve të Bashkuara. Një marrëveshje për sigurinë e anijeve tregtare në Detin e zi u arrit në mars dhe, megjithëse Ukraina nuk done ta nënshkruante zyrtarisht atë, ajo ra dakord të shpallej nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan më 30 mars, përpara zgjedhjeve vendimtare komunale.
“Në minutën e fundit, Ukraina u tërhoq papritur dhe marrëveshja u rrëzua”, tha një nga burimet.
Tre persona të tjerë konfirmuan këtë version të ngjarjes. Rusia, Ukraina dhe Turqia nuk pranuan të komentojnë. Aktualisht është e paqartë pse Ukraina u tërhoq. Burimet e Reuters thanë se nuk e dinin se çfarë çoi në atë vendim.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në shkurt se pa ndihmën e re ushtarake të SHBA-së Ukraina nuk do të ishte në gjendje të mbronte “korridorin” e Detit të Zi.
I pyetur për koment, zëdhënësi i OKB-së Stefan Dujarric tha: Ne mbetemi me shpresë se liria e lundrimit në Detin e Zi do të mbizotërojë.
Në tekstin e marrëveshjes, një kopje e së cilës u sigurua nga Reuters, thuhej se Turqia kishte arritur marrëveshje me Ukrainën dhe Rusinë për të garantuar kalimin e lirë dhe të sigurt të anijeve tregtare në Detin e Zi, bazuar në Konventën e Montreux.
Moska dhe Kievi do të ofrojnë garanci sigurie për anijet tregtare dhe do të angazhohen të mos i sulmojnë, kapin apo kontrollojnë nëseato transportonin ngarkesa boshe ose ngarkesa të deklaruara jo ushtarake. Garancitë nuk zbatohen për anijet luftarake dhe anijet tregtare që transportojnë furnizime ushtarake, me disa përjashtime.
Turqia dhe OKB-ja kishin ndërmjetësuar Iniciativën e Drithërave të Detit të Zi, një marrëveshje e arritur në korrik 2022 që lejonte eksportin e sigurt të afro 33 milionë tonë grurë nga Ukraina. Rusia u tërhoq nga marrëveshja në korrik 2023, duke protestuar për pengesat me të cilat përballet eksporti i saj i ushqimit dhe plehrave./vizionplus.tv