Një person është vrarë dhe të paktën 21 të tjerë janë lënduar gjatë të shtënave më 14 shkurt gjatë një parade të organizuar pas fitores së kampionatit të futbollit amerikan nga ekipi Kansas City Chiefs.

Policia në Kansas tha se 21 persona kanë pësuar lëndime nga të shtënat me armë dhe shtatë prej tyre kanë marrë plagë të rrezikshme për jetë.

Shefja e policisë, Stacey Graves, tha se janë duke hetuar motivin e të shtënave, duke shtuar se janë arrestuar tre persona lidhur me të shtënat e së mërkurës.

Sipas raportimeve, të shtënat ndodhën afër një parkingu ku një turmë e madhe njerëzish ishin mbledhur, teksa lojtarët dhe personeli i ekipit fitues të kampionatit amerikan në futboll, i njohur si Super Bowl, u mblodhën për të festuar fitoren.

“Kjo është një tragjedi që ne kurrë nuk e kemi përjetuar më parë në Qytetin e Kansasit”, tha kreu i qytetit, Quinton Lucas, përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Sipas tij, asnjë nga anëtarët e ekipit të futbollit dhe stafit nuk kanë pësuar lëndime.

Kansas City Chiefs po festonin fitoren e tyre të së dielës ndaj San Francisco 49ers, ngjarje që u mbajt në Las Vegas.

Ky është kampionati i dytë me radhë që City Chiefs fitojnë dhe i treti në pesë sezone.

Përmes një deklarate, ekipi shprehu keqardhje për ngjarjen.

“Jemi të pikëlluar për këto akte të pakuptimta të dhunës që ndodhën gjatë paradës”, tha ekipi Kansas City Chiefs. /vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version