Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kurrë nuk ka kërkuar që trupat perëndimore të luftojnë në pushtimin rus të Ukrainës, tha Shtëpia e Bardhë, pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përsëriti se nuk duhet të përjashtohet kjo ide.

“Presidenti Zelensky nuk po e kërkon këtë, ai vetëm po kërkon pajisje dhe aftësi. Ai kurrë nuk ka kërkuar që trupa të huaja të luftojnë për shtetin e tij”, tha për gazetarët zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Macron më herët gjatë 5 marsit tha se “qëndroj plotësisht prapa” deklaratave të bëra javën e kaluar, kur ai tha se nuk duhet përjashtohet mundësia e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë, deklarata që shkaktuan tronditje në mbarë Evropën.

Ai po ashtu tha se aleatët e Ukrainës duhet të mos duken frikacakë kur mbështesin Kievin.

“Sigurisht, ne po i afrohemi momentit për Evropën në të cilin do të jetë e nevojshme që të mos jemi frikacakë”, tha Macron gjatë vizitës në Republikën Çeke. “Dhe besoj se dy shtetet tona janë të vetëdijshme për atë që po ndodh në Evropë, që lufta është kthyer në tokën tonë”.

Ai shtoi se kërcënimi është bërë i pandalshëm dhe po përhapet “çdo ditë” në shtetet evropiane”.

“A është apo nuk është kjo lufta jonë? A mund të mbyllim sytë dhe t’i lëmë gjërat të rrjedhin?”, pyeti Macron. “Nuk mendoj, prandaj bëra thirrje për një rritje strategjike dhe plotësisht qëndroj pas asaj”, shtoi presidenti francez.

Shefi i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, Sergei Naryshkin, citohet të ketë thënë për mediat ruse se deklaratat e Macronit shfaqin papërgjegjshmërinë e udhëheqësve evropianë dhe se ata po e çojnë botën në prag të një lufte bërthamore.

Shumica e aleatëve evropianë kanë deklaruar se nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë pasi Macron deklaroi më 26 shkurt se nuk duhet përjashtuar mundësia që trupat perëndimore të dërgohen në Ukrainë.

Zyrtarët francezë kanë tentuar të sqarojnë deklaratat e Macronit dhe të minimizojnë kritikat, përderisa kanë insistuar se ka nevojë të dërgohet një mesazh i qartë te Rusia se nuk mund të fitojë në Ukrainë./rel

Share.
Exit mobile version