Negociatat në Kajro që synojnë arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës do të vazhdojnë në ditët në vijim në nivel grupi pune, ndërsa palët përpiqen të zgjidhin disa çështje, tha sot John Kirby, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Siç nënvizoi ai, një nga çështjet që grupet e punës do të duhet të zgjidhin është shkëmbimi i pengjeve të Hamasit me palestinezët e mbajtur në burgjet izraelite. Sulmet midis ushtrisë izraelite dhe luftëtarëve të Hezbollahut të Libanit nuk kishin asnjë ndikim në bisedimet në Kajro, shtoi ai.

Më herët u bë e ditur se negociatat përfunduan në një dështim. Delegacioni i Hamasit u largua nga Kajro pa marrëveshje.

Një zëdhënës i Hamasit tha se qëndrimi i grupit mbeti i pandryshuar se ai kërkonte “një armëpushim të plotë, një tërheqje të plotë (të trupave izraelite), kthimin e të zhvendosurve, hyrjen e ndihmës humanitare, rindërtimin dhe një marrëveshje shkëmbimi midis të burgosurve palestinezë dhe pengjeve në Gaza.

Në të njëjtën kohë, një zyrtar i lartë i Hamasit, Osama Hamdan, tha se organizata po i qëndronte propozimit të saj të 2 korrikut për një armëpushim në Gaza, duke hedhur poshtë kushtet e reja izraelite dhe duke thënë se bisedimet për një marrëveshje të afërt janë false.

“Ne nuk do të pranojmë diskutime për tërheqje nga ajo që ramë dakord më 2 korrik ose kushte të reja”, tha ai, duke folur në televizionin Al-Aqsa. /vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version