Pesëmbëdhjetë njerëz u vranë dhe 40 u plagosën kur një shpërthim ndodhi sot në një fabrikë farmaceutike në pronësi të kompanisë private Escientia në shtetin jugor indian të Andhra Pradesh, tha një zyrtar lokal.

Më herët u bë e ditur se shpërthimi shkaktoi 7 të vdekur dhe 30 të plagosur, por numri është rritur, ndërsa autoritetet thonë se viktimat dhe të plagosurit mund të shtohen edhe më shumë.

Sipas njoftimeve të mediave lokale, një shpërthim ka ndodhur në një reaktor kimik gjatë pushimit të drekës.

Shumica e të plagosurve kanë djegie të rënda dhe janë dërguar në spitalet e zonës.

Pas shpërthimit, një zjarr shpërtheu në fabrikën e vendosur në Zonën e Posaçme Ekonomike (SEZ) të Atchuthapuram.

Dhjetëra zjarrfikëse kanë shkuar në zonë. Zyrtarët thanë megjithatë se tymi i dendur po e bënte të vështirë operacionin e shuarjes së zjarrit.

Escientia punëson më shumë se 1000 njerëz dhe është një nga kompanitë farmaceutike më të mëdha në këtë Zonë të Veçantë Ekonomike. /vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version