Rrënojat e 170 mijë ndërtesave të dëmtuara nga lufta në Rripin e Gazës nuk janë vetëm një shqetësim humanitar por edhe mjedisor.
“Substanca kimike, karburanti dhe materiale të tjera, të ruajtura në magazina mund të shkaktojnë ndotje në një zonë lufte. Cilësia e burimeve ujore nëntokësore, tashmë e dobët, po përkeqësohet nga konfliktet”, thotë Lindsey Cottrell nga organizata Konflikti dhe Vëzhgimi i Mjedisit.
Shkencëtarët po përpiqen të vlerësojnë ndikimin tek mjedisi të luftërave në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.
Studimet përfshijnë pasojat e zjarreve në pyje të shkaktuara nga luftimet dhe ndotja e shkaktuar nga përdorimi i armëve. Shkencëtarët paralajmërojnë për një kërcënim të madh ndaj njerëzve, kafshëve dhe ekosistemeve nga lufta në Ukrainë.
“Shpërthimet e eksplozivëve shkaktojnë zjarre të reja dhe çlirojnë substanca të dëmshme kimike”, thotë Nikolai Denisov nga Rrjeti ‘Zoi’ për Mjedisin, me seli në Zvicër.
Studiuesit në Evropë, Britani dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për të matur nivelin e çlirimit të gazeve të dëmshme në zonat e luftërave, që kontribuojnë në ndryshimin e klimës.
“Niveli i çlirimit të gazeve nuk matet në mënyrë direkte, por përmes të dhënave të ndryshme si sasia e karburantit të djegur, apo madhësia zjarrit që e ka shkaktuar atë”, thotë Lennard de Klerk nga organizata “Initiative on GHG Accounting of War”.
Një studim brenda Ukrainës, i analizuar nga ekspertët thotë se në 18 muajt e parë të luftës u çliruan gaze të dëmshme në nivel të ngjashëm vjetor me ato të Austrisë, Portugalisë dhe Hungarisë së bashku.
Por, mungesa e rregullave ndërkombëtare mbi matjen e çlirimit të gazeve të dëmshme në zonat e konflikteve, ka kufizuar mundësitë e studimeve në terren dhe fshehtësia e operacioneve ushtarake ka vështirësuar përpjekjet për të bërë vlerësime të sakta mbi ndikimin e luftës tek mjedisi.
Megjithatë, autorët e këtyre studimeve thonë se këto studime janë të rëndësishme në përpjekjet për të kuptuar dhe përmirësuar luftën globale kundër ndryshimit të klimës.
“Ne kemi mësuar shumë në vitet e fundit për pasojat e ndryshimit të klimës si përmbytjet, temperaturat ekstreme dhe problemet e tjera që kanë shkaktuar ato për ne”, thotë Benjamin Neimark nga Universiteti Queen Mary në Londër.
Sipas sistemit të tanishëm ndërkombëtar, vendet duhet të raportojnë mbi emetimet e gazeve të dëmshëm në territorin e tyre. Nuk ka udhëzime zyrtare, ose ligjore mbi masën e çlirimit të këtyre gazeve nga një konflikt i armatosur.
“Duhen bërë përpjekjet ndërkombëtare nga studiuesit dhe ligjvënësit për krijimin e rregullave për këtë çështje”, thotë Rostyslav Bun nga Universiteti Politeknik i Lvivit.
Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur Ukrainën dhe Izraelin me armë, por zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, gjenerali Pat Ryder tha për Zërin e Amerikës se Pentagoni e trajton me seriozitet problemin e ndryshimeve klimatike.
“Departamenti i Mbrojtjes ka qenë i qartë për çështjen e ndryshimeve klimatike dhe pasojat e saj, duke e përfshirë atë në strategjinë kombëtare të mbrojtjes, ku thuhet se ushtria amerikane duhet të përshtatet dhe të jetë e gatshme të merret me sfidat e krijuara nga pasojat e tanishme të ndryshimit të klimës”, tha ai.
Studiuesit theksojnë se ndërsa shmangia e pasojave për mjedisin duhet të jetë përparësi e lartë, trajtimi i krizës humanitare dhe vuajtjet e civilëve duhet gjithashtu të kenë përparësi të lartë./voa