Shërbimet sekrete të Greqisë janë vënë në alarm pas kërcënimeve të Iranit dhe grupeve të tjera të milicëve të mbështetura prej tij për hakmarrje ndaj Izraelit pasi u vra lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh.
“Kathimerini” shkruan sipas të dhënave nga shërbimet sekrete të Greqisë se autoritetet kanë marrë masa shtesë për sigurinë e vendeve që përbëjnë interes për Izraelin si edhe që mund të jenë objektiv i Iranit.
Gjithçka ndodh pasi mediat iraniane raportuan se hakmarrja mund të vijë edhe ndaj interesave të Izraelit në një vend te tretë dhe jo domosdoshmërisht shteti hebre.
“Vlerësimet e zyrtarëve grekë dhe të huaj flasin për mundësinë që në periudhën e ardhshme të ketë një tentativë për t’u kundërpërgjigjur me një sulm kundër një objektivi izraelit jo në territorin e Izraelit, por në një vend të tretë. Për disa shërbime të huaja, Greqia është përfshirë në vendet kandidate ku mund të ndodhë ky sulm, por, megjithatë, siç raportohet nga burime kompetente, nuk ka informacion të qartë për një sulm ndaj një objektivi të caktuar ose në një datë të caktuar”, raporton “Kathimerini”.
Disa ditë më parë u vra në Teheran lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh. Irani dhe Hesbollahu janë betuar për hakmarrje. /vizionplus.tv