President i SHBA, Joe Biden konfirmoi se Irani është i përfshirë në vrasjen e tre ushtarëve amerikanë në Jordani dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se autorët do të mbajnë përgjegjësi.

“Ndërsa ende jemi duke mbledhur faktet rreth sulmit, ne e dimë se është kryer nga grupe militante radikale të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri e Irak. Nuk ka dyshim, autorët do të mbahen përgjegjës në kohën dhe mënyrën që ne do të zgjedhim”,  tha Biden.

Pas deklaratës së Biden, Irani ka mohuar akuzat për vrasjen e ushtarëve pavarësisht luftimeve që zhvillohen në rajon mes trupave amerikan dhe grupeve të rezistencës.

“Irani nuk ka të bëjë dhe nuk ka asnjë lidhje me sulmin në bazën amerikane. Ka një konflikt mes forcave amerikane dhe grupeve të rezistencës në rajon që shkëmbejnë sulme hakmarrëse”, ka thënë misioni i Teheranit në OKB.

Rreth 3,000 trupa amerikane janë të stacionuar në Jordani, një vend që kufizohet me Irakun, Izraelin, territorin palestinez të Bregut Perëndimor, Arabinë Saudite dhe Sirinë.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se krahas 3 ushtarëve të vrarë, u plagosën edhe 25 pjesëtarë të forcave të armatosura, por mediat amerikane raportojnë se bëhet fjalë për më shumë se 30.

Ky sulm shënon vdekjet e para nga radhët e trupave amerikan që nga nisja e konfliktit Izrael- Hamas, ndërsa përshkallëzon edhe më tej situatën konfliktuale në të gjithë Lindjen  e Mesme. /vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version