Mediat lokale njoftojnë se në prag të vizitës së Këshilltarit të Sigurisë të SHBA, Sullivan, në Izrael demonstruan sërish dhjetëra-mijëra vetë kundër qeverisë së kryeministrit Netanyahu. Ata bënë thirrje për më shumë përpjekje për të rikthyer pengjet dhe për zgjedhje të reja.
“Netanyahu është përgjegjës për t’i sjellë ata në shtëpi,” thërrisnin demonstruesit në Jerusalem. Ata e fajësojnë kreun e qeverisë, i cili është nën presion masiv, për fatin e pengjeve që gjenden në duart e Hamasit islamik. Disa prej protestuesve mbanin gjithashtu pankarta të mëdha në të cilat shkruhej: “Fund luftës” dhe “Uria është krim lufte”, njofton gazeta Times of Israel.
Ministri Gantz kërcënon me dorëheqje
Edhe Benny Gantz, ministër pa portofol dhe anëtar i kabinetit të luftës të Izraelit, i vuri një ultimatum kryeministrit Benjamin Netanyahu. Gantz tha në një konferencë për shtyp se ai dhe anëtarë të tjerë të partisë së tij do të largohen nga kabineti i udhëhequr nga Benjamin Netanyahu, nëse ky nuk paraqet deri më 8 qershor një plan për rendin e pasluftës në Rripin e Gazës.
Gantz kërkoi një plan prej gjashtë pikash, në të cilin ndër të tjera parashikohet administrimi i përkohshëm i Rripit të Gazës nga SHBA, Evropa, shtetet arabe dhe palestinezët. Gjithëse Izraeli duhet të ketë kontrollin mbi sigurinë në atë territor.
Gantz bëri gjithashtu thirrje për rekrutimin edhe të hebrenjve ultra-ortodoksë, të cilët aktualisht janë të përjashtuar nga detyrimi ushtarak. Por ky propozim i tij kundërshtohet nga dy prej partnerëvë të koalicionit të Netanyahut, të cilët këmbëngulin për ruajtjen e përjashtimeve.
Kryeministri Netanyahu i hodhi poshtë kërkesat e Gantz-it si “fjalë boshe” kuptimi i të cilave ishte i qartë: “Fundi i luftës dhe një disfatë për Izraelin, heqja dorë nga shumica e pengjeve, vazhdimi i ekzistencës së një Hamasi të padëmtuar dhe krijimi i një shteti palestinez. ” /DW