Të premten marina amerikane paralajmëroi anijet me flamur amerikan, që në 72 orët e ardhshme, të largohen nga zonat përreth Jemenit në Detin e Kuq, si dhe në Gjirin e Adenit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Britania, nisën sulme të shumta ajrore në shënjestër të të cilave ishin rebelët Houthi.
Paralajmërimi erdhi pasi këta të fundit (rebelët Houthi) u zotuan për hakmarrje të fortë ndaj sulmeve të udhëhequra nga Uashingtoni, duke rritur më tej mundësinë e një konflikti më të gjerë në një rajonin e përfshirë tashmë nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë.
Ushtria amerikane dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se prisnin që Houthi të kundërpërgjigjej. Po kështu Presidenti Joe Biden paralajmëroi të premten se grupi mund të përballet me sulme të mëtejshme.
Sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, që nisën si përgjigje ndaj një fushate sulmesh me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, vranë të paktën pesë persona dhe plagosën gjashtë të tjerë, sipas grupit rebel. Shtetet e Bashkuara thanë se sulmet, që u zhvilluan në dy faza, goditën objektiva në 28 vendndodhje të ndryshme, në zona që kontrollohet nga rebelet Houthi në Jemen.
“Ne do të sigurohemi që së bashku me aleatët tanë t’i përgjigjemi grupit Houthi nëse ata vazhdojnë me këtë sjellje të egër“, u tha Presidenti Biden gazetarëve gjatë një ndalese në Emmaus, të shtetit të Pensilvanisë.
I pyetur nëse ai beson se grupi Houthi, është një grup terrorist, zoti Biden tha po.
Në nëntor Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se po shqyrtonte mundësinë për ripërcaktimin e grupit të rebelëve Houthi si një organizatë terroriste, ndërsa ata filluan të godasin anijet civile. Administrata Biden e hoqi zyrtarisht këtë grup nga lista e “organizatave terroriste të huaja” apo “terroristë të përcaktuar globalisht” në vitin 2021, duke zhbërë një masë të Presidentit Donald Trump.
Gjenerallejtënant Douglas Sims, tha se sulmet e reja amerikane ishin kryer përgjithësisht në zona me popullsi të vogël dhe se numri i të vrarëve sipas tij nuk do të ishte i lartë. Ai tha se sulmet goditën armatimet, radarët dhe vendndodhjet e grupit, përfshirë zonat e thella malore./VOA/