Francesko Acerbi, mbrojtësi i Interit, rrezikon të marrë një pezullim shembull prej 10 ndeshjesh në rast se do të provohen deklaratat raciste kundrejt mbrojtësit  Brazilian Juan Jesus. Pas vendimit të federatës italiane të futbollit për ta përjashtuar nga kombëtarja axurre, e cila do të luajë dy ndeshje miqësore në SHBA, tani Acerbi duhet të presë edhe një dënim të rëndë në nivel klubesh.

Veteran i mbrojtjes së Interit u përfshi në një debat verbal me mbrojtësin e Napolit, Juan Jesus në ndeshjen e fundit që u nda në barazim në “San Siro” mes Interit dhe Napolit.

Ishte minuta e 60 e ndeshjes kur në zhvillimet e një këndoreje, dy mbrojtësit u kapen me njëri-tjetrin. Futbollisti i Napolit iu afrua gjyqtarit duke i rrëfyer se Acerbi e kishte quajtur “ i zi”, konotacion racist që referuar nenit 28 të Kodit të Drejtësisë Sportive konsiderohet “Sjellje diskriminuese”.

Dukej sikur gjërat ishin sqaruar në fushë mes palëve përfshirë edhe gjyqtarin, mirëpo gjithçka u ndez së tepërmi kur mbrojtësi i Interit në shenjë inati nga përjashtimi në kombëtare, deklaroi se ishte i pafajshëm e se nuk kishte bërë kurrë deklarata raciste kundrejt Juan Jesus. I menjëhershëm reagimi i mbrojtësit brazilian.

“Më tha ik i zi..ti je vetëm një njeri i zi. Mendova se e mbyllëm çështjen aty në fushë, por kur lexova deklaratat e Acerbit që i mohonte këto fjalë, u detyrova të reagoja. Realitet është krejt tjeter”, tha Juan Jesus që më herët ka qenë lojtar i Interit gjithashtu.

Bashkë me relacionin e gjyqtarit dhe pamjet televizive, disiplina pritet ta dënojë Acerbin deri në 10 ndeshje pezullim, ndërsa grumbullimi në europian tanimë duket i pamundur./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version