Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia, në një letër drejtuar presidentit të Bashkimit Evropian, kërkojnë ndërtimin e një linje mbrojtëse përgjatë kufijve me Rusinë dhe Bjellorusinë për të mbrojtur BE-në nga kërcënimet ushtarake të Moskës dhe aktivitetet e tjera.

Në letrën që do të diskutohet në një samit dy-ditor në Bruksel që fillon të ditën e sotme, liderët e katër vendeve që ndajnë kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë thanë se plani, për të mbrojtur bllokun 27-vendesh prej 450 milionë banorësh, do të kishte nevojë gjithashtu për mbështetjen financiare të të gjithë anëtarëve.

“Ndërtimi i një sistemi të infrastrukturës së mbrojtjes përgjatë kufijve të jashtëm të BE-së me Rusinë dhe Bjellorusinë do të trajtojë nevojën urgjente për të siguruar BE-në nga kërcënimet ushtarake dhe hibride,” thuhej në letrën e katër liderëve, raporton Reuters.

“Shkalla dhe kostoja e kësaj përpjekjeje të përbashkët kërkon veprim specifik të BE-së për ta mbështetur atë si politikisht ashtu edhe financiarisht,” shtohej në letër.

Disa diplomatë të BE-së kanë vlerësuar koston e ndërtimit të një linje të tillë mbrojtëse në terren përgjatë 700 km të kufijve të BE-së me Rusinë dhe Bjellorusinë në rreth 2.5 miliardë.

Investimi evropian në mbrojtje dhe financimi i tij do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit midis liderëve të BE-së në samit, ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës hyn në vitin e tretë.

Thirrja për një linjë të mbrojtjes tokësore të financuar bashkërisht në kufirin lindor të Bashkimit Evropian vjen në krye të një nisme të mëparshme nga Greqia dhe Polonia për të krijuar një sistem të mbrojtjes ajrore të BE-së të modeluar sipas Kupolës së Hekurt të Izraelit.

“Duhet të merren masa emergjente, pasi kufijtë e jashtëm të BE-së duhet të mbrohen me mjete ushtarake dhe politike”, nënvizohej letra nga të katër vendet.

Në letër theksohet se planifikimi dhe ekzekutimi i linjës së mbrojtjes në kufijtë lindorë të BE-së duhet të bëhet në koordinim me NATO-n dhe kërkesat e saj ushtarake./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version