Departamenti i Mbrojtjes i SHBA- së siguroi të martën se ndihma e re ushtarake amerikane do t’u dërgohet forcave të armatosura të Ukrainës “brenda disa ditësh”.
Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, tha gjatë një konference të rregullt të gazetarëve të akredituar në Uashington se ai preferoi të mos hynte në detaje përpara se projektligji që përmban fondet e kërkuara të miratohet nga Senati dhe të nënshkruhet nga Presidenti Joe Biden.
Ai theksoi megjithatë se ndihma e re do të “bazohet në nevojat më urgjente” të Kievit.
Ndihma do të përfshijë “aftësi të mbrojtjes ajrore” si dhe “municion artilerie”, shtoi ai.
“Ne po bëjmë gjithçka në fuqinë tonë (…) për të qenë në gjendje t’i ofrojmë ndihmë shtesë Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur,” këmbënguli ai.
Pas muajsh bllokimi politik në Kongresin amerikan, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të shtunën me shumicë dërrmuese një paketë financimi prej 61 miliardë dollarësh për të ofruar mbështetje të mëtejshme të SHBA për Ukrainën, kryesisht ushtarake.
Miratimi i projektligjit nga Senati – i konsideruar i sigurt – pritet brenda disa orësh. Presidenti Biden ka njoftuar se synon ta ratifikojë menjëherë./vizionplus.tv/