Shefi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Volker Turk, paralajmëroi Izraelin se çdo “transferim me forcë e në shkallë të gjerë” i civilëve nga veriu i Gazës, do të përbënte krim lufte nëse nuk bëhet për “arsye të domosdoshme ushtarake”.

“Urdhrat për evakuim që lëshohen nga Izraeli duket se janë të dizajnuara që ta shkëpusin krejtësisht Gazën veriore nga pjesa tjetër e territorit”, tha Turk gjatë një konference për media në selinë e OKB-së në Nju Jork.

“Përderisa bombardimet dhe sulmet e tjera po vazhdojnë, ka shqetësime serioze për një transferimin me forcë e në shkallë të gjerë të civilëve që nuk përmbush kërkesat sipas ligjit ndërkombëtar për evakuimin mbi arsye të domosdoshme ushtarake”, tha ai.

“Transferimi me forcë i një pjese të madhe të popullsisë së Gazës veriore do të përbënte krim lufte”.

Izraeli po vazhdon ofensivën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, që kur ky grup kreu sulm ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar.

Gjatë sulmit të Hamasit në Izrael u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Ndërkaq, si pasojë e ofensivës hakmarrëse izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 persona. Ushtria izraelite ka intensifikuar operacionet e saj në dhjetë ditët e fundit në veri të Gazës, ku qindra mijëra persona janë bllokuar në mes të luftimeve. Në këtë pjesë po ashtu është vështirësuar dërgimi i ndihmave humanitare.

“I bëj thirrje Izraelit që menjëherë të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare, të cilat janë të nevojshme që të arrijnë në të gjitha pjesët e Gazës”, tha Turk.Izraeli ka thënë se synon ta shkatërrojë Hamasin, i cili qeverisë me Gazën.

Më 17 tetor, autoritetet izraelite konfirmuan se gjatë një operacioni ushtarak në Gazë kanë vrarë liderin e Hamasit, Yahya Sinwar. Ai është lideri i dytë i grupit që vritet nga Izraeli në më pak se tre muaj./rel

Share.
Exit mobile version