Dritan Idrizi, 38 vjeç u vra me thikë në zemër tre ditë më parë, 7 gusht, në Itali. Autor i dyshuar i vrasjes është shqiptari Artur Cerria, 37 vjeç, i cili është arrestuar. Ngjarja ndodhi në kulmin e një debati mes Idrizit dhe Cerrias.

Viktima, së bashku me Gili Quedari, 28 vjeç dhe dajën e tij Admir Shoshari, 54 vjeç, shkuan në fermën ku banonte Cerria. Të tre ishin të pajisur me shkopinj hekuri dhe pasoi një përplasje e dhunshme. Më pas Cerria dyshohet se mori thikën dhe e goditi tre herë bashkatdhetarin e tij. Njëra nga goditjet, ajo në zemër rezultoi fatale.

38-vjeçari humbi jetën para se të mbërrinte në spital.

Avokati i Cerria, Matteo Mattioli thotë se klienti i tij është i tronditur.

“E gjeta të tronditur, nuk e dinte se e kishte vrarë.”

Ai ka rrëfyer dhe ka bashkëpunuar me hetuesit. Cerria kishte marrë një telefonatë nga djali i tij 18-vjeçar duke e njoftuar se disa njerëz e prisnin. Gruaja u përpoq t’i qetësonte por u sulmua me shkop.

Kur mbërriti, pa Idrizin që nxirrte diçka nga rripi i pantallonave: ishte një çekiç, por mendoi se ishte armë, kështu që mori thikën dhe e goditi.

Edhe Cerria ka mbetur i plagosur pasi u godit me çekiç mes shpatullës dhe qafës si dhe në pjesën e pasme të kokës.

Djali, i cili u përpoq të mbronte nënën gjithashtu u godit. I mbushur me gjak, i frikësuar për veten dhe gjithë familjen, ka lajmëruar policinë.

“Vritini të gjithë”

Djali dëgjoi dikë nga grupi i Idrizit të thoshte “Vritini të gjithë”.

Policia ka arrestuar Cerrian, por edhe Quedarin dhe Shosharin, dajën e viktimës, për plagosje të rëndë.

“Arsyet nuk janë të qarta”, shpjegon Mattioli.

U fol për një borxh të papaguar (5 mijë euro) për punën që ishte kryer në makinën e Cerria. Por hetuesit gjithashtu kanë mësuar se  sulmuesit dhe të sulmuarit kanë dënime të mëparshme për drogën, një kontekst që duhet ende të sqarohet.

“Klienti im thotë se ai e goditi në bark, ai as nuk e dinte se e kishte vrarë” shpjegon avokati.

“Ai mbrojti familjen dhe veten e tij nga një sulm brutal. Kemi të bëjmë me vetëmbrojtje”./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version