Kryeministri i Izraelit u tha familjeve të pengjeve të mbajtura në Gaza se një marrëveshje mund të jetë afër për të siguruar lirimin e të dashurve të tyre, tha zyra e tij sot, ndërsa luftimet vijojnë në enklavën palestineze.
Forcat izraelite vazhduan bastisjen e tyre në zonën jugore Khan Younis të Rripit të Gazës pasi urdhëruan civilët të evakuonin disa zona që ata thanë se po përdoreshin nga militantët palestinezë për të nisur sulmet.
Mijëra njerëz po ikin në zona më të sigurta mes sulmeve ajrore izraelite, thanë zyrtarët e OKB-së.
Netanyahu është tani në Uashington dhe pritet të takohet me Presidentin e SHBA Joe Biden më vonë këtë javë pas fjalimit në Kongres.
“Kushtet për një marrëveshje janë padyshim të pjekura. Kjo është një shenjë e mirë”, u tha Netanyahu dje, të hënën, familjeve të pengjeve në kryeqytetin amerikan.
Përpjekjet disamujore për të arritur një marrëveshje armëpushimi në luftën Izrael-Hamas, të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, kanë marrë vrull javët e fundit sipas një propozimi të përshkruar nga Biden në maj përpara se të ngecnin përsëri.
“Për fat të keq, jo gjithçka do të ndodhë menjëherë; do të ketë faza. Megjithatë, besoj se mund ta avancojmë marrëveshjen…”, tha Netanyahu. /vizionplus.tv