Ndërmjetësuesit për armëpushim në Gazë njoftuan të premten përmbylljen e bisedimeve dy ditore dhe thanë se synojnë të takohen përsëri javën e ardhshme për të finalizuar një marrëveshje për dhënien fund të luftimeve.
Në një deklaratë të shpërndarë të premten, Shtetet e Bashkuara, Egjipit dhe Katari thanë se bisedimet ishin konstruktive dhe ishin kryer në një mjedis miqësor. Ata u paraqitën të dyja palëve një propozimin të ri dhe shpresojnë të punojnë mbi hollësitë e zbatimit të tij, në ditët në vazhdim.
Raundi i ri i bisedimeve filloi të enjten dhe synon dhënin fund të luftës 10 mujore dhe lirimin e pengjeve, përmes një marrëveshjeje të mundshme që shihet si rruga më e mirë për pengimin e një përshkallëzimi më të gjerë të konfliktit në rajon.
Hamasi, i cili nuk mori pjesë direkt në bisedime, akuzoi Izraelin se kishte shtuar kërkesa të tjera tek një propozim i mëparshëm i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe aktorë të tjerë ndërkombëtare dhe për të cilin Hamasi kishte rënë parimisht dakord.
Të dyja palët kanë rënë dakord në parim mbi planin e njoftuar në 31 maj nga Presidenti Joe Biden. Por Hamasi ka propozuar ndryshime dhe Izraeli ka sugjeruar disa saktësime, duke bërë që të dyja palët të akuzojnë njëra -tjetrën, se po përpiqen të prishin mundësitë për marrëveshje.
Hamasi ka refuzuar kërkesat e Izraelit, të cilat përfshijnë një prani të vazhdueshme ushtarake përgjatë kufirit me Egjiptin dhe krijimin e një sërë pikash kontrolli pëprgjatë një vije në mes të Gazës për të kontrolluar palestinezët që do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, me qëllim çrrënjosjen e militantëve.
Të premten, ndërmjetësuesit paraqitën një propozim në përputhje me planin e paraqitur nga Presidenti Biden. Ky propozim ka hollësi mbi fushat e marrëveshjes, plotëson elementë që mungonin dhe bën të mundur zbatimin e shpejtë të marrëveshjes.
Përpjekja e re për t’i dhënë fund luftës Izrael-Hamas ndodh në një kohë që numri i të vdekurve palestinezë në Gazë shkoi në mbi 40,000, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës dhe mes shqetësimit të lartë se militantët e Iranit dhe Hezbollahut në Liban do të sulmonin Izraelin në shenjë hakmarrjeje për vrasjet e udhëheqësve të lartë të militantëve.
Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë besojnë se rruga më e mirë për uljen e tensioneve do të ishte një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit për ndalimin e luftimeve dhe lirimin e pengjeve izraelitë.
Përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtarë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit u intensifikuan të premten, me vizitën e përbashkët në Izrael të ministrave të jashtëm britanikë dhe francezë, David Lammy dhe Stéphane Séjourné.
Ata u dukën optimistë pas takimit me homologun izraelit Israel Katz.
Sekretari i Jashtëm britanik tha se se zyrtarët izraelitë u kishin bërë me dije se shpresonin se ishin në prag të firmosjes së një marrëveshjeje.
“Pas 315 ditë luftimesh, është koha për marrëveshje”, tha zoti Lammy. Ministri Francez Sejourne i cilësoi të papranueshme përpjekjet për të dëmtuar bisedimet.
Ai tha se së bashku me Sekretarin britanik, u kishin përcjellë të gjitha palëve mesazhin e qartë se ky është një moment jetik pasi “ mund të çojë në luftë ose paqe”.
Ministri Katz tha se u kishtë thënë homologëve se nëse Irani sulmon Izraelin, Izraeli pret që aletatë jo vetëm ta ndihmojnë për t’u mbrojtur, por të bashkohen me të në kundërpërgjigjen ndaj Teheranit.
Ai gjithashtu paralajmëroi Iranin, i cili mbështet Hamasin, Hezbollahun dhe rebelët Houthi në Jemen, që kanë sulmuar Izraelin që nga fillimi i luftës në Gazë, të ndalojë sulmet.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare John Kirby i cilësoi bisedimet si një hap shumë të rëndësishëm. Ai tha se mbetet ende shumë punë për të bërë duket parur parasysh vështirësitë për marrëveshje dhe faktin që ndërmjetësuesit po përqëndroheshin në zbatimin e saj.
Lufta nisi pas sulmit të Hamasit në 7 tetor ndaj Izraelit, ku sipas autoriteteve u vranë 1200 vetë dhe u morën peng 250 të tjerë. 110 mbahen ende në Gazë edhe pse sipas autoriteteve izraelite një e treta e tyre kanë vdekur.
Kundëofensiva e Izraelit ka vrarë 40,005 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, që nuk japin të dhëna se sa prej tyre janë militantë.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite tha së enjten se Izraeli ka vrarë 17 mijë militantë të Hamasit gjatë luftës në Gazë, por pa dhënë prova.
Në një mesazh të qartë për Izraelin, grupi Hezbollah publikoi të premten një video me titra në gjuhën angleze dhe hebre, ku dukeshin tunele nëntokësore në të cilët kamionët transportonin raketa me rreze të gjatë veprimi.
Një zyrtar i Hezbollahut, i cili foli në kushte anonimiteti për agjencinë Associated Press, tha se raketat në video kanë një rreze prej rreth 140 kilometrash, në gjendje për të goditur në thellësi të Izraelit.
Hezbollahu ka dhjetëra mijëra raketa dhe dronë që sipas grupit militant i mundësojnë të godasë kudo në Izrael. Hezbollahu filloi të sulmonte Izraelin më 8 tetor dhe thotë se do të ndalet vetëm kur të përfundojë lufta në Gazë./voa