Në mbylljen e ditës së dytë të samitit të NATO-s, udhëheqësit e aleancës u zotuan që t’i ofrojnë Ukrainës të paktën 40 miliardë euro ndihmë ushtarake.
“Nëpërmjet kontributeve proporcionale, aleatët synojnë të sigurojnë një financim bazë minimal prej 40 miliardë euro brenda vitit të ardhshëm dhe të sigurojnë nivele të qëndrueshme të asistencës për sigurinë për të mbizotëruar Ukrainën”, thuhet në deklaratën e NATO-s.
Aleanca shprehu shqetësimin e saj për intensifikimin e lidhjeve midis Kinës dhe Rusisë.
“Ambiciet dhe politikat shtrënguese të deklaruara të Republikës Popullore të Kinës vazhdojnë të sfidojnë interesat, sigurinë dhe vlerat tona. Thellimi i partneritetit strategjik midis Rusisë dhe Kinës dhe përpjekjet e tyre reciprokisht përforcuese për të dëmtuar dhe riformuar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, janë një shkak për shqetësim të thellë. Ne përballemi me kërcënime hibride, kibernetike, hapësinore dhe aktivitete të tjera keqdashëse nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratën e përbashkët të liderëve një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor
“Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik me Ballkanin Perëndimor për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale dhe kundër ndikimit malinj, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Forcën e Kosovës të udhëhequr nga NATO (KFOR)”, shprehet NATO.
Ministria e jashtme e Kinës shprehu pakënaqësinë për interesin në rritje të aleancës në Azi dhe kërkoi që NATO të qëndrojë jashtë rajonit Azi-Paqësor dhe të mos nxisë konfrontim. Misioni i Pekinit në BE tha se ky samit ishte i mbushur me mentalitet të luftës së Ftohtë, provokime, gënjeshtra dhe nxitje konflikti./vizionplus.tv