Kryeministri i Indisë, Narenda Modi po shkon drejt fitores së një mandati të tretë si rrallëherë në historinë e vendit.
Aleanca e udhëhequr prej partisë së tij pritet të marrë shumicën prej më shumë se 300 mandate në dhomën e ulët të parlamentit sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve.
Zgjedhjet e përgjithshme në Indi, të cilat janë edhe më të mëdhatë në historinë botërore u zhvilluan në shtatë raunde gjatë javëve të kaluara.
Të regjistruar për të votuar në të gjithë vendin ishin rreth 1 miliardë banorë.
Votat e para që u numëruan ishin ato të hedhura përmes postës, kryesisht nga personat që jetojnë jashtë zonave të tyre elektorale, personat mbi 85 vjeç dhe ata me aftësi të kufizuara.
Ajo që i karakterizoi zgjedhjet në Indi këtë vit, ishte edhe vala ekstreme e të nxehtit, e cila shkaktoi vdekjen e dhjetëra personave, përfshirë edhe zyrtarë zgjedhorë.
Rezultati i zgjedhjeve në Indi do të bëjë jehonë përtej kufijve, marrë parasysh pozicionin strategjik të vendit në Azi dhe ekonominë e tij në lulëzim. /vizionplus.tv