Është e nevojshme të vazhdohet “urgjentisht” një “zgjidhje e integruar e mbrojtjes kundërajrore për Ukrainën”, theksuan sot presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.
Deklaratat erdhën menjëherë pas sulmit rus në një supermarket në Kharkiv ku si pasojë humbën jetën 16 persona dhe 43 të tjerë u plagosën.
Charles Michel shkruan: Sulmi rus në një supermarket në Kharkiv është i tmerrshëm. Përpjekjet e Rusisë për të terrorizuar civilët ukrainas si pjesë e luftës së saj të agresionit kundër Ukrainës janë kriminale. Së bashku, ne mund të ndalojmë sulmet e dhunshme të Rusisë. Ne duhet të lëvizim urgjentisht drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.
Nga ana tjetër, kreu i diplomacisë evropiane, Borrell , shprehu “dënimin më të fortë” për “sulmet e tmerrshme të Rusisë kundër qytetit të Kharkiv”, duke përfshirë një qendër tregtare ku mbetën të vrarë dhe të plagosur civilë.
“Të gjithë autorët e këtyre dhe krimeve të tjera të luftës ruse do të mbajnë përgjegjësi. Këto krime sistematike ruse kundër civilëve dhe infrastrukturës civile përsëri theksojnë nevojën që Evropa të rrisë urgjentisht mbështetjen për mbrojtjen ajrore: ajo shpëton jetë dhe mbron qytetet e Ukrainës”, thekson kreu i diplomacisë evropiane.