Pak para ndërrrimit të viteve presidenti rus, Vladimir Putin prezantoi shifrat e prodhimit të industrisë së përforcuar të armatimit. Kreu i koncernit shtetëror, Rostec, Sergej Tshemesov bëri të ditur, se koncerni i tij do të prodhojë 50 herë më shumë municion për armë të kalibrit të vogël si edhe multiraketahedhës të rinj, mjaft të përfolur në frontin ukrainas. Pra ato granata artilerie që i mungojnë kaq shumë Ukrainës. Sipas të dhënave, Rusia ndërkohë prodhon shtatë herë më shumë tanke, se para pushtimit të Ukrainës para gati dy vitesh. Prezantimi që bëri Putini synonte të demonstronte me sa duket fuqinë ruse në garën e armatimit me shtetet e tjera që e mbështesin Ukrainën nën drejtimin e SHBA. Vetëm pak ditë më vonë, Rusia bombardoi rëndë me raketa dhe dronë Ukrainën.
Mbrojtja ajrore ukrainase ia del shpesh të mbrojë në mënyrë efektive Kievin, ku qëndrojnë edhe sistemet më moderne të mbrojtjes ajrore nga perëndimi , si Iris-T SLM nga Gjermania apo sistemet amerikane Patriot. Por Kharkiv, në verilindje të vendit u dëmtua rëndë.
Rusia përdor goditjen e përqëndruar kundër mbrojtjes ajrore
Eksperti ushtarak, Gustav Gressel thotë për DW, se Rusia po përdor goditjen e përqëndruar. “Mesatarisht shansi që një raketë të kalojë sistemin është më i lartë nëse ajo përdoret gjatë një goditjeje masive të përqëndruar. Mbrojtja ajrore ukrainase i eliminon 90% të raketave gjatë sulmeve të vogla dhe vetëm 70% gjatë goditjeve të përqëndruara”, thekson Gressel, ekspert në Këshillin Europian për Marrëdhënien e Jashtme, ECFR.
Ukraina pret nga Gjermania për këtë shkak “deri në fund të dimrit baterinë e katërt të Iris-T dhe deri në fund të vitit katër sisteme të tjera”, thotë zëdhënësi i mbrojtjes ajrore ukrainase, Yurii Ihnat për DW. Sipas qëndrimit perëndimor gara e armatimit për mbrojtjen ajrore është shtuar. “Gjermania po armatoset, industria do të prodhojë më shumë armë për Ukrainën dhe Bundeswehrin”, shkroi në fillim të vitit gazeta “Handelsblatt”, gazeta më e madhe për ekonominë në Gjermani. “Handelsblatt” i referohej koncernit Rheinmetall, që prodhon municion për tanket mbrojtës ajrorë Gepard për Ukrainën, dhe prodhuesit të sistemeve Iris-T, Diehl Defence.
A janë sukseset e përfolura të Rusisë vetëm propagandë?
Pavarësisht njoftimeve të Putinit për suksese në prodhimin e armatimit, situata është më komplekse, sipas ekspertëve. Ia vlen të “shohësh pas propagandës dhe detajet”, thotë eksperti i sigurisë, Nico Lange për DW. Rusia ka po ashtu problemet e saj. “Tanket luftarakë të prodhuar që thuhet, janë në të vërtetë tanke rezervë të riparuar dhe ripajisur, të cilët shpesh për shkak të sanksioneve teknologjike dhe mungesës së disa komponentëve nuk janë të pajisur me shënjestrimet më moderne, që do të thotë se shpesh nuk godasin saktë ose nuk mund të qëllojnë në lëvizje e sipër.”
Rusia përdor për tanket rezervat nga koha e Bashkimit Sovjetik. Por në sistemet komplekse për sulme nga ajri, Rusia ia ka dalë të “mënjanojë sanksionet apo të gjejë zgjidhje si për shembull të tërheqë komponentë të nevojshëm përmes shteteve të treta apo nga vendet që nuk i respektojnë apo kontrollojnë sa duhet kufizimet e eksportit.”
Kërkohen më shumë garanci për industrinë
Për Ukrainën ka rëndësi vendimtare që të jenë të sigurta furnizimet me me raketat vetëdrejtuese për sistemet Patriot dhe Iris-T, thotë eksperti Inhat. Në këtë drejtim po bëhet shumë aktualisht. Jo vetëm sepse, prodhuesit e baterive komplekse si Diehl Defence kanë marrë garanci nga qeveria gjermane. Sipas listës së aktualizuar të Ministrisë së Mbrojtjes për nevojat e Ukrainës në fillim të janarit, Ukraina do të marrë 9 nga bateritë aq të nevojshme të sistemeve të mbrojtjes ajrore, Iris-T SLM.
Eksperti Nico Lange thotë se në Gjermani për një kohë të gjatë nuk ekzistonte bindja, se “një luftë e gjatë vendoset në fund mbi bazën e industrisë.” Pra që në plan afatgjatë luftën e fiton kush ka më shumë nga armët më të mira. Sidomos në Gjermani politika priste një fund të shpejtë të luftës edhe duke menduar pasojat e sanksioneve. Nga ana tjetër duhet kohë derisa të shtohet prodhimi në industrinë e armatimit. Imazhi për Gjermaninë si vend mbështetës i Ukrainës me armatime nuk ka qenë aq i mirë.
Kthesë në vitin 2025?
“Rusia për shkak të sistemit autoritar në vend është në gjendje që të ndërrojë shpejt fokusin e industrisë së armatimit për furnizimet e veta me municion”, thotë Nico Lange. “Ne i marrim vendimet shumë vonë, dhe tek ne shumë gjëra ecin ngadalë.” Ukrainës do t’i mungojnë “për shkak të proceseve paraprake industriale dhe vendimeve të vona” shumë nga armët që ka kërkuar Kievi. Por zhvillimet në industrinë e armatimit tek vendet përkrahëse të Ukrainës mund të çojnë aty “që për shembull tek furnizimet me municion në fund të vitit 2024 apo nga 2025-a situata të jetë dukshëm më pozitive.”/DW/