Mbetjet e ushqimeve dhe pijeve tradhtuan dy shqiptarët e arrestuar për grabitjen brutale në Kefaloni.

Sipas informacioneve, policia ka arritur të lokalizojë 25-vjeçarin, i cili goditi me thikë të moshuarin dhe bashkëpunëtorin e tij 18-vjeçar, nga ushqimet që kishin lënë në vendin e ngjarjes.

Dy autorët kishin lënë mbetje ushqimi dhe një kanaçe me pije alkoolike jashtë shtëpisë së viktimës, të cilat i kishin blerë nga një supermarket aty pranë, ndërsa punonjësi që i shiste i kishte parë.

Gjendja e 73-vjeçarit dhe deklaratat e të afërmve të tij

Ndërkohë, 73-vjeçari, viktimë e grabitjejes brutale me thikë në shtëpinë e tij në Kefaloni, mbrëmjen e së mërkurës, po lufton për të qëndruar gjallë në Spitalin Universitar të Janinës.

Sulmuesi 25-vjeçar e ka goditur me thikë në bark, kofshë dhe brinjë, pasi fillimisht i ka kërkuar para.

Autorët u arrestuan, por familjarët e 73-vjeçarit po përjetojnë momente dramatike ankthi për shkak të situatës së tij kritike.

“24 orët e ardhshme janë shumë kritike”, tha nipi i 73-vjeçarit për Mega.

Ai tregon habinë e tij për këtë veprim të dhunshëm të autorëve teksa shprehet se i shihte çdo ditë në ishull dhe nuk e imagjinonte se do të bënin diçka të tillë.

“Autorët ishin banorë të zonës. Ata punonin në ndërtim”, thotë konkretisht Nikos Stamoulis duke shtuar se xhaxhai i tij jetonte vetëm në shtëpi.

“Shtëpia nuk kishte para. Ata donin të vrisnin xhaxhanë tim që të mos i njihte”, shton ai.

Historia e grabitjes

Dy shqiptarët fillimisht thyen dritaren e shtëpisë së të moshuarit në Agia Efimia, dhe  25-vjeçari hyri në shtëpi ndërsa 18-vjeçari bnte roje.

Sipas ERT, kur 73-vjeçari ka hyrë në shtëpinë e tij, 25-vjeçari shqiptar e ka sulmuar me thikë, duke e goditur afërsisht 10 herë në bark dhe në pjesë të tjera të trupit. Më pas dy grabitësit u larguan.

Viktima arriti të dilte në rrugë i gjakosur dhe të thërriste ndihmë. Dy shqiptarët u arrestuan pasditen e së enjtes./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version