GREQI – Një 17-vjeçar shqiptar në Spartë ka përjetuar momente tmerri kur është rrëmbyer nga  të afërmit e të dashurës dhe më pas është rrahur për tre orë.

Sipas asaj që tha babai i të miturit për STAR, djali i tij ka pasur një flirt me një shoqe klase, por prindërit e saj nuk e kanë miratuar marrëdhënien që dy fëmijët kishin krijuar për shkak të origjinës së tij shqiptare.

17-vjeçari ka marrë një telefonatë nga vëllai i vajzës dhe ka shkuar për ta takuar. Aty ai është sulmuar ashpër nga dy persona, të cilët më pas e kanë kapur para nënës dhe e kanë futur në bagazhin e një makine.

Sipas asaj që tha babai i 17-vjeçarit, në një moment ata ndaluan, e zbritën nga bagazhi, e rrahën sërish dhe më pas e futën në makinë dhe e çuan në shtëpinë e vëllait të vajzës.

Tortura e re

Aty filloi një raund i ri torturash si nga vëllai i vajzës ashtu edhe nga prindërit e saj. Sipas pretendimeve të 17-vjeçarit, nëna e vajzës ia shkuli flokët dhe i preu fytyrën.

Në fakt, nga goditjet të miturit filloi t’i dilte gjak nga veshi, ndërsa, sipas avokatit, ai ka humbur dëgjimin në veshin e majtë dhe ende nuk dihet nëse do të shërohet.

Tortura e 17-vjeçarit zgjati për të paktën tre orë, ndërsa rrëmbyesit e lanë në një pikë ku lajmëruan nënën e tij për ta gjetur. Viktima është dërguar në spital, ku është shtruar prej disa ditësh, ndërsa ndodhet në gjendje të keqe psikologjike.

Sipas njoftimit, babai i vajzës, është arrestuar së bashku me djalin e tij dhe një person tjetër për rrëmbimin dhe rrahjen e 17-vjeçarit, ndërsa nëna është ende në kërkim./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version