Presidenti i Bjellorusisë Alexandër Lukashenko ka paralajmëruar se nuk ka ndërmend të ndalojë emigrantët që kalojnë përmes Bjellorusisë dhe kanë si destinacion vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Më vendosni një lak në qafë në formën e sanksioneve dhe më pas kërkoni që unë të mbroj BE-në nga flukset e emigrantëve? Kjo nuk do të ndodhë”, deklaroi Lukashenko në një intervistë të dhënë për televizionin rus.

Bashkimi Evropian dhe qeveria e Polonisë kanë akuzuar presidentin rus Vladimir Putin dhe homologun e tij bjellorus Alexander Lukashenko për shtyrje të qëllimshme të emigrantëve të parregullt në BE nga viti 2021, duke i pajisur me viza dhe duke i siguruar transport.

“Qëllimi i tyre është t’i tregojnë të gjithë Evropës se kufijtë e jashtëm të BE-së nuk kontrollohen, në mënyrë që të shkaktojnë pasoja politike: të forcojnë të djathtën ekstreme, e cila premton të përmbysë BE-në nga brenda,” tha në qershor ministri i jashtëm polak Radoslav Sikorsky.

Polonia ka mbrojtur pjesën më të madhe të kufirit të saj me një gardh 5.5 metra të lartë dhe sisteme elektronike të mbikëqyrjes. Megjithatë, çdo ditë regjistrohen tentativa për të hyrë ilegalisht në vend. Vetëm në tre ditët e fundit rojet kufitare kanë regjistruar 201 tentativa të tilla./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version