Sundimtari autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, ka thënë të martën se “disa dhjetëra” koka bërthamore ruse janë duke u vendosur në vendin e tij dhe se rreth 30 lokacione janë duke u konsideruar si vende ku mund të vendosen sistemeve raketore Oreshnik.

Raketat Oreshnik u përdorën për herë të parë nga Rusia në një sulm të madh në Ukrainë rishtazi.

Lukashenka i bëri këto komente të martën gjatë një vizite në qytetin Barisau. Javën e kaluar, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se sistemet raketore Oreshnik do të vendosen në Bjellorusi mbase në pjesën e dytë të vitit 2025.

“Shumë njerëz kanë thënë ‘kjo është shaka, askush nuk ka vendosur asgjë’. Por, ne e bëmë. Kur thonë se është shaka, nënkupton se atyre u ka ikur kjo. Ata madje as nuk e kanë vërejtur se si i sollëm ne ato këtu”, tha Lukashenka për kokat bërthamore taktike të Rusisë të dërguara në Bjellorusi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, BeITA.

Këto zhvillimet hapin një etapë të re në strategjinë ushtarake dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Bjellorusisë.

Rusia e shkrepi raketën Oreshnik për herë të parë mbi qytetin ukrainas Dnipro, më 21 nëntor.

Putini tha asokohe se ajo ishte përgjigje ndaj përdorimit të raketave balistike amerikane, ATACMS, dhe raketave britanike, Storm Shadow, nga Ukraina për herë të parë, për ta goditur territorin rus me lejen e Perëndimit.

Hollësitë teknike të raketës Oreshnik nuk dihen ende, por besohet se kjo raketë është e ndërtuar për ta rritur mbijetesën dhe efikasitetin e armatimit bërthamor të Rusisë, posaçërisht në kontekst të sfidave globale të sigurisë.

Lukashenka, aleati më i ngushtë i Putinit prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, e ka lejuar Moskën ta përdorë tokën bjelloruse si trampolinë për kryerjen e agresionit.

Lukashenka ka thënë, pa dhënë prova, se Bjellorusia do ta ketë kontrollin mbi përcaktimin e objektivave që raketat Oreshnik do t’i godisnin.

“Objektivat do të vendosen nga ne në Bjellorusi, jo nga rusët”, tha ai, por shtoi se dy vendet do të bashkëpunojnë në rast nevojash ushtarake./rel

Share.
Exit mobile version