Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Anthony Blinken do të udhëtojë në Lindjen e Mesme në fund të javës së ardhshme për të diskutuar luftën në Gaza, raportoi Axios, duke cituar pesë zyrtarë amerikanë, izraelitë dhe arabë.
Sekretari amerikan i Shtetit planifikon të vizitojë Izraelin, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Katarin.
Forcat izraelite kanë zgjeruar ofensivën tokësore në kampet e refugjatëve në Gazën qendrore, ndërsa një zyrtar i lartë ka paralajmëruar se lufta do të zgjasë me muaj.
Komunitetet e mbipopulluara palestineze kanë qenë gjithashtu në shënjestër teksa banorëve u është kërkuar të evakuohen.
Njoftimi i ushtrisë për zonën e re të betejës kërcënon shkatërrim të mëtejshëm të Rripit të Gazës i cili prej më shumë se dy muajsh është në kushtet e mbijetesës.
Forcat izraelite janë përfshirë në luftime të ashpra urbane nga veriu deri në qytetin jugor të Khan Younisit, duke i shtyrë palestinezët në zona gjithnjë e më të vogla strehimi.
Ndërkohë, rreziku për përhapjen e konfliktit në të gjithë rajonin është rritur në ditët e fundit me përshkallëzimin e sulmeve ndaj trupave amerikanë dhe anijeve tregtare të huaja.
Grupi i armatosur i Jemenit, Huthi ka marrë përgjegjësinë për disa sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq ndërsa Izraeli ka deklaruar se po sulmohet nga 6 fronte pas të cilave qëndron Irani.
Lufta ka shkaktuar deri më tani rreth 21 mijë viktima, pjesa më e madhe e të cilëve gra dhe fëmijë, ndërsa Izraeli është zotuar se do të vazhdojë sulmet deri në shfarosjen e plotë të Hamasit./vizionplus.tv