Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e ditës së hënë në Agropoli në zonën e Salernos në Itali. Mediat italiane raportojnë se 63-vjeçari Vincenzo Carnicelli ka vrarë gruan e tij Annalisa Rizzo dhe më pas veten.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, fillimisht në shtëpinë e çiftit janë dëgjuar debate me zë të lartë dhe më pas heshtje, ndërkohë që në banesë ndodhej edhe vajza e tyre 13-vjeçare e cila ka qëndruar në dhomën e saj.
Ishin fillimisht fqinjët që raportuan në polici zënkën dhe më pas nëna e 43-vjeçares e cila njoftoi uniformat blu, pasi e bija nuk po i përgjigjej në telefon.
Kur forcat e policisë kanë mbërritur në banesën e çiftit në rrugën “Gaetano Donizetti”, i kanë gjetur të pajetë burrë dhe grua.
Rindërtimi i ngjarjes
Duke ju referuar raportit të policisë mediat kanë rindërtuar skenën e ngjarjes. Besohet se fillimisht ka patur një debat mjaft të ashpër mes çiftit, dhe në një moment burri ka marrë thikën që ndodhej në kuzhinë dhe ka qëlluar disa herë mbi gruan, të cilës i janë gjetur plagë të shumta në trup, duar dhe fytyrë, dhe më pas 63-vjeçari i ka dhënë fund vetes, me të njëjtën armë.
Ndërkohë policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të zbuluar se cili ishte shkaku që çoi në këtë tragjedi.
/Vizionplus.tv/