Turqia është e gatshme të marrë përgjegjësinë për çështjen palestineze si një vend garantues, përsëriti Recep Tayyip Erdogan nga foltorja e Samitit të Qeverive Botërore (WGS) në Dubai.

Presidenti turk akuzoi Izraelin se nuk ka braktisur politikën e tij të okupimit, uzurpimit dhe shkatërrimit për dekada dhe, nëse dëshiron paqe të qëndrueshme në rajon, “duhet të braktisë ëndrrat ekspansioniste dhe të njohë ekzistencën e një shteti të pavarur palestinez me bazë kufijtë e vitit 1967”.

“Çdo hap i ndërmarrë do të mbetet i pafrytshëm dhe problemi nuk do të zgjidhet pa krijimin e një shteti palestinez brenda kufijve të vitit 1967, sovran dhe gjeografikisht të bashkuar me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”, tha Recep Tayyip Erdogan.

Në këtë pikë, presidenti turk përsëriti se rruga drejt paqes, qetësisë dhe zhvillimit ekonomik në rajon kalon përmes krijimit të një shteti palestinez.

“Në këtë kontekst, ne kemi thënë se jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi, ndër gjëra të tjera dhe si garantues, për vendosjen dhe sigurimin e paqes së bashku me vendet e tjera të rajonit”, tha ai. /vizionplus.tv

 

Share.
Exit mobile version