
Megjithëse Ukraina pranoi një armëpushim 30-ditor, forcat ruse kanë vijuar sulmet ajrore, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Sa i takon propozimit amerikan për armëpushimin, Moska ka thënë se do të marrë kohën e duhur për të vendosur.
Pas arritjes së një armëpushimi 30-ditor mes delegacioneve të Uashingtonit dhe Kievit, Rusia dhe Ukraina kanë vijuar sulmet e ndërsjella gjatë natës. Dy raketa goditën qytetin Krivij Rih të Ukrainës, tha guvernatori rajonal, Serhiy Lysak. Si pasojë, një person mbeti i vdekur dhe 9 të tjerë u plagosën. Sakaq, një sulm ndaj një anijeje mallrash pranë qytetit të Odesës vrau katër anëtarë të bordit të mjetit lundrues. Nga goditjet u përfshi edhe kryeqyteti i vendit, Kievi, në një sulm të fuqishëm. Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se mbrojtja ajrore u aktivizua dhe zmbrapsi sulmet.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sistemet e saj kundërajrore kanë rrëzuar gjashtë dronë gjatë natës, një mbi Krimenë e aneksuar nga Moska dhe pesë mbi Detin e Zi. Sipas mediave vendase, shpërthime të fuqishme dhe alarme paralajmëruese janë dëgjuar edhe në Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe pranë objekteve të ushtrisë ruse. Ndërkohë, Kremlini ka reaguar për herë të parë për arritjen e armëpushimit mes delegacioneve të Uashingtonit dhe Kievit. Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, u shpreh se Rusia po studion deklaratat e lëshuara pas bisedimeve të një dite më parë dhe se pritet të jepet më shumë informacion në lidhje me propozimin në kohën e duhur.
Në lidhje me armëpushimin, ka reaguar së fundmi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio:
“Jemi të lumtur që ukrainasit kanë rënë dakord ta bëjnë këtë; tani i takon Rusisë të thotë po. Nëse Rusia thotë po, ky është një lajm shumë i mirë dhe ne do ta fillojmë atë proces dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta çuar atë proces përpara. Nëse ata thonë jo, atëherë padyshim që ne do të duhet të shqyrtojmë gjithçka dhe të kuptojmë se ku ndodhemi në botë dhe cilat janë qëllimet e tyre të vërteta. Pra, ne kemi Ukrainën gati për të ardhur në tryezë. Tani duhet ta bëjmë Rusinë të vijë në tryezë.“
Rubio theksoi se pret të diskutojë me Rusinë këtë të mërkurë.