Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut po i bën thirrje Izraelit të japë llogari për krimet e mundshme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit që ka kryer në Rripin e Gazës.
Në të njëjtën kohë, diskutohet projekt-vendimi për të pezulluar shitjet e armëve për Izraelin, i cili prej gati gjashtë muajsh është në luftë me Hamasin në Rripin e Gazës.
Njëzet e tetë vende votuan pro projekt-rezolutës, 13 abstenuan dhe gjashtë votuan kundër.
Është hera e parë që Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mban qëndrim në lidhje me luftën që shpërtheu më 7 tetor pasi Hamasi sulmoi Izraelin. Megjithatë, Këshilli nuk ka mjete për të zbatuar vendimet e tij.
Reagimi i Izraelit ishte i menjëhershëm. Meirav Eilon Sahar, përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, akuzoi Këshillin se kohë më parë e kishte braktisur popullin izraelit dhe për një kohë të gjatë ishte në mbrojtje të Hamasit.
“Sipas rezolutës para jush sot, Izraeli nuk ka të drejtë të mbrojë popullin e tij, ndërsa Hamasi ka çdo të drejtë të vrasë dhe torturojë izraelitët e pafajshëm”, tha ai para votimit.
Shtetet e Bashkuara ishin zotuar të votonin kundër rezolutës, sepse ajo nuk përmbante asnjë dënim specifik të Hamasit për sulmet e 7 tetorit, as ndonjë referencë për natyrën terroriste të këtyre veprimeve.
Ky zhvillim vjen pas bisedës telefonike mes Bidenit dhe Netanyahut. Në të, presidenti amerikan i theksoi Netanyahut se si sulmi ndaj vullnetarëve të organizatave humanitare ashtu edhe kriza humanitare në Rripin e Gazës në përgjithësi janë të papranueshme.
Presidenti amerikan ia bëri të qartë Netanyahut se politika e Uashingtonit për Gazën do të varet nga vlerësimi i masave të menjëhershme të marra nga Izraeli. /vizionplus.tv