Ushtria izraelite tha të enjten se forcat e saj kishin kryen sulme ajrore në të gjithë Rripin e Gazës që kishin si objektiv luftëtarët dhe infrastrukturën e Hamasit.

Në njoftim thuhej gjithashtu se janë vrarë edhe dy militantë të Hezbollahut në pjesën jugore të Libanit.

Luftimet e fundit ndërkufitare mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë rritur shqetësimet për përhapjen e konfliktit.

Edhe agjencia e lajmeve ‘France-Presse’, duke iu referuar përfaqësuesve të Hezbollahut, njoftoi se dy nga luftëtarët e grupit ishin vrarë nga një sulm ajror i Izraelit në Kfar Kila.

Izraeli njoftoi se 14 ushtarë të tij ishin plagosur të mërkurën nga një sulm i Hezbollahut në pjesën veriore të Izraelit.

Anëtarësimi i territoreve palestineze në OKB

Këshilli i Sigurimit i OKB-së po përgatitet të votojë një rezolutë që rekomandon statusin e anëtarit me të drejta të plota për Autoritetin Palestinez.

Nëse ky Këshill rekomandon aplikimin e Autoritetit Palestinez, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duhet ta miratojë atë me dy të tretat e votave.

Por fati i kësaj përpjekje në Këshillin e Sigurimit është i paqartë, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë të drejtën e vetos.

Ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield tha të mërkurën gjatë një vizite në Korenë e Jugut se Uashingtoni nuk e sheh rezolutën si pjesë të përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Gaza është në prag të urisë, njoftojnë agjenci të shumta, por SHBA-të dhe Izraeli thonë se qasja tek ndihmat është përmirësuar këtë muaj. Në portin Ashdod të Gazës, kanë hyrë kamionë me ushqime për herë të parë që kur Izraeli miratoi hapjen e tij për ndihmat, njoftoi ushtria izraelite të mërkurën.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë forcat izraelite kanë vrarë rreth 34,000 palestinezë që nga fillimi i luftës, dy të tretat e të cilëve gra dhe fëmijë.

Izraeli nisi ofensivën në përgjigje të sulmit terrorist të Hamasit ndaj shtetit hebre më 7 tetor 2023, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 persona, sipas shifrave izraelite. Militantët morën peng edhe rreth 250 të tjerë. Izraeli thotë se rreth 130 vetë vazhdojnë të mbahen peng, por një e katërta e tyre kanë të vdekur. Hamasi është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian e të tjera vende.

 

Katari po rimendon rolin si ndërmjetës

 

Katari po rivlerëson rolin e tij si ndërmjetës mes Izraelit dhe Hamasit, tha të mërkurën kryeministri i këtij vendi Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, gjatë një konference për shtyp me homologun e tij turk në Doha.

Zoti Al Thani nuk dha detaje, por shtoi se kjo gjë po ndodhte pasi përpjekjet e vendit të tij ishin keqpërdorur, siç u shpreh ai.

Në këtë pikë, po rivlerësojmë rolin tonë si ndërmjetës dhe angazhimin e palëve në këtë ndërmjetësim“, tha ai.

Al Thani tha se kishte “kufij” brenda asaj që mund të bëjë Katari si ndërmjetës, megjithëse udhëheqësit kryesorë të Hamasit jetojnë në mërgim në këtë vend.

Më herët të mërkurën, zoti Al Thani tha se negociatat për një armëpushim të ri në Gazë ndodheshin në një “fazë delikate” dhe se po bëheshin përpjekje për të tejkaluar pengesat për arritjen e një marrëveshjeje.

Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në bisedime për të siguruar ndalimin e luftimeve, lirimin e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi në Gazë, si dhe lirimin e të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken diskutoi këtë çështje në një telefonatë me kryeministrin e Katarit të martën. Departamenti amerikan i Shtetit tha se të dy zyrtarët rikonfirmuan “rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë në ditët në vijim, me synimin për të arritur një armëpushim që siguron lirimin e të gjitha pengjeve”.

Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron, bëri thirrje të mërkurën që bota të përqendrojë vëmendjen tek pengjet dhe që Hamasi t’i lirojë menjëherë ata dhe të pranojë propozimin për armëpushim.

Arsyeja e vetme që konflikti vazhdon në Gazë është sepse ata nuk po i pranojnë kushtet e marrëveshjes”, tha zoti Cameron gjatë një vizite në Izrael. “Ne kemi nevojë që pengjet të lirohen e që në Gazë të futet ndihma”, shtoi ai.

Në ditët në vijim udhëheqësi i Hamasit Ismail Haniyeh pritet të vizitojë Turqinë për bisedime me presidentin Rexhep Tajip Erdogan./VOA/ 

Share.
Exit mobile version