Më shumë se 60 palestinezë u vranë në Rripin e Gazës gjatë natës nga bombardimet intensive të Izraelit, sipas një deklarate nga qeveria e Hamasit.
“Më shumë se 60 dëshmorë dhe dhjetëra të plagosur në masakrat e reja të kryera këtë natë dhe herët në mëngjes nga forcat pushtuese”, raporton zyra e shtypit e qeverisë.
Sipas deklaratës, sulmet ajrore dhe bombardimet e artilerisë kishin në shënjestër qytetet Khan Younis dhe Rafah, në pjesën jugore të Gazës, ku ushtria izraelite së fundmi po përqendron operacionet e saj, si dhe zona të tjera të enklavës palestineze të rrethuar.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi se 24,100 njerëz janë vrarë dhe 60,834 janë plagosur që nga fillimi i luftës.
Lufta midis Hamasit dhe Izraelit, e cila hyri në ditën e saj të 100-të dje, të dielën, shpërtheu pas sulmit të paprecedentë të grupit palestinez më 7 tetor ndaj Izraelit, i cili vrau rreth 1,140 njerëz, kryesisht civilë. Në këtë sulm janë marrë peng rreth 250 persona, nga të cilët 132 janë ende të mbajtur në Gaza. Të paktën 25 prej tyre thuhet se janë vrarë, sipas autoriteteve izraelite. Rreth 100 u liruan si pjesë e një armëpushimi në fund të nëntorit. /vizionplus.tv/