Ushtria izralite tha të premten se po kryen operacione kundër terrorizmit që përfshijnë sulme ajrore në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor. Autoritetet palestineze thanë se ishin vrarë 5 persona.

Ushtria tha se kishte “shkëmbyer zjarr me disa teerroristë të cilët ishin në një ndërtesë të rrethuar nga trupat izraelite ndërsa gjatë një sulmi ajror ishin “goditur disa terroristë të armatosur” në zonë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se pesë persona humbën jetën, por nuk dha asnjë informacion mbi identitetin e tyre. Asnjëra prej palëve nuk dha detaje të mëtejshme.

Përleshjet në Jenin, një bastion i njohur militant ku ushtria vepron shpesh, ndodhën një ditë pasi një grup mbikqyrës izraelit që vepron në kundër të masave kundër vendbanimeve tha se qeveria ka në plan të ndërtojë rreth 5,300 shtëpi të reja në vendbanimet në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Planet e rindërtimit të bëra publike nga grupi “Paqe Tani” janë pjesë e përpjekjeve të qeverisë së vijës së ashpër për të rritur ndikimin mbi vendbanimet (palestineze) si pjesë e një strategjie për të forcuar kontrollin e Izraelit mbi Bregun Perëndimor dhe për të penguar krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez. Palestinezët kërkojnë që Bregu Perëndimor, Jeruzalemi lindor dhe Gaza, zona që u morën nga Izraeli gjatë luftës në Lindjen e Mesme në 1967, të jenë pjesë e shtetit të pavarur palestinez.

Dhuna në Bregun Perëndimor është përhapur që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gazë, e cila nisi si pasojë e sulmit të militantëve të Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor, ku sipas të dhënave izraelite u vranë rreth 1200 vetë, kryesisht civilë dhe u morën më shumë se 200 pengje. Lufta deri më tani ka lënë të vrarë më shumë se 38,000 palestinezë, thotë ministria e Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi. Ministria nuk bën dallime mes luftëtarëve dhe civilëve.

Bisedimet për arritjen e një armëpushimi u duk se morën përsëri udhë pas disa javësh bllokim. Zyra e kryeministrit Netanyahu tha të enjten se do të dërgonte ndërmjetësues për të rinisur bisedimet, një ditë pasi Hamasi u dha negociatorëve përgjigjen mbi propozimin për marrëveshje, i mbështetur nga Shtetetet e Bashkuara.

Hamasi kërkon që marrëveshja të sigurojë që trupat izraelite do të tërhiqen plotësisht nga Gaza kur të mbarojë lufta, ndërsa zoti Netanyahu thotë se lufta nuk mund të mbarojë pa u eliminuar plotësisht Hamasi.

Negociatorët izraelitë pritet të mbërrijnë të premten në kryeqytetin e Katarit, Doha, për bisedime me praninë e zyrtarëve amerikanë, egjiptianë dhe të Katarit./voa

Share.
Exit mobile version