Një zyrtar i lartë i Hamasit tha sot se grupi do të kthejë “shumë shpejt” një përgjigje mbi propozimin që parashikon ndërprerje të përkohshme të luftimeve në Gazë dhe këmbimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi, me të burgosur palestinezë në Izrael.

Hamasi dhe militantë të tjerë vazhdojnë të mbajnë dhjetra pengje në Gazë. Sipas autoriteteve izraelite, militantët e Hamasit morën rreth 250 persona peng gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit, ku u vranë 1200 persona, shumica civilë, që nxiti kundër ofensivën e Izraelit në rajon.

Më shumë se 100 pengje u lanë të lirë gjatë një marrëveshjeje armëpushimi në muajin nëntor, në këmbim të lirimit të 120 të burgosurve palestinezë.

Ministria e Shëndetësisë së Hamasit, që kontrollohet nga Hamasi thotë se si pasojë e kundërofensivës së Izraelit të Gazë, janë vrarë më shumë se 27 mijë vetë dhe janë plagosur 66 mijë të tjerë. Ministria nuk bën dallim mes civilëve dhe militantëve në këtë bilanc, por thotë se shumica e të vrarëve kanë qenë gra dhe fëmijë.

Lufta e Izraelit në Gazë rrezikon të përshkallëzohet edhe në vendet fqinje, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të udhëheqësve në mbarë botën për të ulur tensionet në rajon./voa

Share.
Exit mobile version