Julia Navalnaya do të takohet sot në Bruksel me ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, tre ditë pas vdekjes së bashkëshortit të saj, liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, në një burg rus.

“Të hënën do të mirëpres Yulia Navalny në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së”, tha kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dje, të dielën në mbrëmje, përmes rrjetit social X.

“Ministrat e BE-së do të dërgojnë një mesazh të fortë mbështetjeje për luftëtarët e lirisë në Rusi dhe do të përkujtojnë Alexei Navalny”, shkroi ai.

Navalnya, 47 vjeç, tha se ajo e konsideronte presidentin rus Vladimir Putin “personalisht përgjegjës” për vdekjen e bashkëshortit dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për t’i shkaktuar një disfatë “këtij regjimi të tmerrshëm.”

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani theksoi se deklaratat e Navalnya “do të ndihmojnë të gjithë evropianët të kuptojnë më mirë se çfarë lloj sistemi të dhunshëm duhet të përballemi dhe të parandalojmë në Ukrainë”.

“Kjo na bën të ndjejmë kërcënimin që rëndon mbi qytetarët rusë dhe të gjitha rajonet e Evropës sonë, një kontinent ku dhuna, brutaliteti dhe lufta janë kthyer në mënyrë të turpshme dhe të papërgjegjshme”, shtoi Tajani në një deklaratë.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë gjithashtu mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe një paketë të mundshme të 13-të sanksionesh kundër Moskës pasi ajo filloi pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt 2022.

Gjatë fundjavës, policia ruse në dhjetëra qytete arrestoi qindra njerëz që kishin shkuar për të vendosur lule dhe ndezur qirinj për nder të Navalny-t në memorialet e viktimave të shtypjes së epokës staliniste.

Organizatat e të drejtave të njeriut dhe media e pavarur raportuan dënime të ngjashme në qytete të tjera.

Demonstratat kundër Kremlinit dhe veprime të tjera publike të opozitës ndaj regjimit janë të paligjshme në Rusi kryesisht sipas një ligji që ndalon tubimet pa leje./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version