Franca vlerëson se 150.000 ushtarë rusë janë vrarë gjatë pushtimit të Ukrainës, të nisur nga Moska, tha ministri i Jashtëm, Stephane Sejourne.

Në një intervistë për gazetën e pavarur, Novaya Gazeta Europe, Sejourne tha se sipas vlerësimit të Parisit numri i përgjithshëm i viktimave ruse gjatë luftës, përfshirë të plagosurit, është 500.000.

Pushtimi rus i Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e tretë.

“Evropa dhe partnerët e saj do të vazhdojnë të jenë të bashkuar dhe të vendosur për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Veçse është i dukshëm dështimi i ushtrisë ruse. Ne vlerësojmë se ushtria ruse ka humbje prej 500.000, përfshirë 150.000 të vdekur”, tha ai.

“E gjithë kjo për çfarë?”, pyeti Sejourne. “E gjithë kjo mund të përmblidhet shkurt: për asgjë”, tha ai.

Rusia nuk i ka bërë publike humbjet e pësuara gjatë luftës kundër Ukrainës.

Në muajin shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se 180.000 trupa ruse janë vrarë gjatë luftës.

Britania ka vlerësuar se afër 450.000 rusë janë vrarë ose plagosur në Ukrainë.

Në prill, transmetuesi publik britanik, BBC, ka raportuar se më shumë se 50.000 pjesëtarë të ushtrisë ruse kanë vdekur. Këtë shifër, kjo media e ka bazuar në gazetarët e saj, vullnetarët dhe në grupin e pavarur medial, Mediazona.

Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi për nisjen e “operacionin e posaçëm ushtarak” më 24 shkurt 2022, dhe që atëherë, lufta është shndërruar në një mizori të përgjakshme që e ka izoluar Rusinë nga Perëndimi.

Disa analistë ushtarakë besojnë se Rusia mund të jetë në prag të nisjes së një ofensive të re të madhe në Ukrainë.

Novaya Gazeta Europe u themelua nga gazetarët e gazetës kryesore të pavarur të Rusisë, Novaya Gazeta, pak pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. /REL

Share.
Exit mobile version