Finlanda do të zgjasë mbylljen e kufirit të saj me Rusinë, vendim ky i cili ishte caktuar të përfundonte më 15 janar, tha ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë Sari Essayah të mërkuren për transmetuesin publik.

“Kufiri do të mbetet i mbyllur,” tha Essayah kur u pyet nëse kufiri do të mbetet i mbyllur edhe për një muaj.

Mediat finlandeze kishin raportuar më parë se qeveria do të zgjaste masën.

Finlanda mbylli kufirin për të ndaluar një numër në rritje të azilkërkuesve që të hynin në vend dhe tha se Moska kishte orkestruar fluksin e njerëzve, një akuzë që Kremlini e mohon.

Në nëntor të vitit të kaluar, Finlanda njoftoi për mbylljen e pikës së fundit kufitare me Rusinë, mes shqetësimeve se Moska po i shfrytëzon emigrantët si pjesë e një “lufte hibride” për destabilizimin e vendit nordik, pas anëtarësimit të tij në NATO.

Numri në rritje i migrantëve të mbledhur në pikat kufitare i ka forcuar bindjet e Finlandës që autoritetet ruse po tentojnë t’i shtyjnë migrantët për të udhëtuar drejt Finlandës, me qëllim të destabilizimit të shtetit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar në dhjetor të vitit të kaluar për “probleme” të paspecifikuara me Finlandën, dhe ka thënë se ka urdhëruar krijimin e një distrikti të ri ushtarak në rajonet kufitare me shtetin nordik.

Finlanda ka hequr dorë nga politika e saj e neutralitetit, pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022, dhe vitin e kaluar është bërë anëtarja e 31-të e NATO-s.

Prej atëherë, Finlanda e ka rritur numrin e njësiteve ushtarake në misione trajnime, dhe u ka lejuar aeroplanëve të NATO-s që të patrullojnë zonën ajrore, veprim që e ka zemëruar Rusinë. /REL

Share.
Exit mobile version