Ashtu si në Gjermani edhe në Turqi fermerët janë të pakënaqur me kushtet e punës, edhe nëse nuk dalin në rrugë për të protesuar. Ata hyjnë gjithnjë e më thellë në borxhe për të mbijetuar.
Në disa vende evropiane fermerët protestuan kohët e fundit për kushte më të mira pune dhe kundër uljes së subvencioneve, që ata përfitojnë. Në Gjermani, Francë, Rumani, Spanjë, Greqi dhe Itali ata dolën në rrugë së bashku me traktorët e tyre. Fermerët europianë nuk janë të vetmit, që ndihen të lënë në baltë nga shteti.
Edhe fermerët turq janë të zemëruar që shteti nuk u ndihmon sa duhet. Ashtu si në Evropë edhe në Turqi fermerët janë të pakënaqur me kushtet e tyre të punës dhe subvencionimin nga shteti. Por në dallim nga Evropa ata deri tani nuk kanë dalë në rrugë për të protestuar. Përfaqësuesit e bujqve në Turqi theksojnë, se kushtet e tyre janë edhe më të këqija se të kolegëve të tyre evropianë. “Një nga faktorët kryesorë për protestat e bujqve në Evropë ishteshkurtimi i ndihmave për karburantin për bujqësinë. Në Turqi nuk ka kurrfarë favorizimi tatimor për karburantin për bujqësinë”, shpjegon Baki Remzi Suicmez, president i Dhomës së Inxhinierëve Agrarë të Turqisë.
Fermerët thonë se ndihmat ekzistuese financiare të shtetit nuk janë të mjaftueshme: Suicmez ankohet se ato nuk mjaftojnë për të siguruar ekonomikisht prodhimin. “Ndërsa inflacioni është në rritje të vazhdueshme dhe ka arritur gati në 70 për qind, mbështetja financiare nuk mjafton”, thotë ai.
Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve turke inflacioni vjetor në Turqi arrin në rreth 64 për qind. Sipas përllogaritjeve të Grupit të Pavarur për Kërkimin e Inflacionit (Inflation Research Group – ENAG) ai është madje rreth 127 për qind. Për krahasim: Në vitin 2023 Gjermania kishte një inflacion mesatar vjetor prej 5.9 për qind.
44,5 përqind më shumë buxhet nuk mjafton
Buxheti i Ministrisë turke të Bujqësisë për ndihmën për bujqit u rrit madje me 44.5 për qind në vitin 2024, duke e çuar atë në rreth 2.7 miliardë euro. Për krahasim: Sipas Institutit Ekonomik Gjerman (IW Këln) në vitin 2022 fermerët gjermanë morën rreth 6.9 miliardë euro nga fondi agrar i BE, plus 2.3 miliardë euro të tjera nga buxheti gjerman.
Megjithë rritjen e buxhetit ndihmat financiare për bujqësinë në Turqi nuk i mbulojnë shpenzimet individuale të fermerëve. Çmimet e inputeve, si karburanti për prodhimin bujqësor, ilaçet, ushqimi i kafshëve, plehrat dhe farërat, rriten vazhdimisht. Sipas të dhënave të Shoqatës Turke të Dhomave të Bujqësisë (TZOB) çmimet për plehrat janë rritur nga 16 deri në 25 për qind, në varësi të llojit, për foragjeret me 41 deri në 43,3 për qind dhe për barnat me 16,7 për qind. Në të njëjtën kohë karburanti bujqësor vitin e kaluar u bë 79 për qind më i shtrenjtë. Sidomos karburanti bujqësor është jetik për çdo fazë të prodhimit, theksojnë përfaqësuesit e industrisë.
Këto rritje çmimesh nuk mund të mbulohen nga ndihma aktuale shtetërore. Zgjidhja e vetme: fermerëve turq u duhet të marrin kredi dhe kështu hyjnë gjithnjë e më shumë në borxhe, shpjegon Suicmez.
Kriza monetare i dëmton edhe fermerët
Presidenti i Shoqatës Turke të Dhomave të Bujqësisë (TZOB) Semsi Bayraktar jep një pamje të zymtë për të ardhmen e fermerëve. “Fermerët tanë duhet të mendojnë që në dimër, se si mund të paguajnë karburantin në pranverë. Karburanti për prodhimin bujqësor është një mjet i domosdoshëm për ne”, thotë Bayraktar.
Arsyeja e rritjes së çmimeve vjen nga politika financiare: çmimet e këtyre produkteve bazohen te dollari amerikan dhe sa më shumë bie vlera e lirës turke, aq më e vështirë bëhet jeta e bujqve.
Ndryshe nga Europa Turqia vuan prej disa vitesh nga një krizë ekonomike. Fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, vlera e lirës turke (TL) ka rënë në mënyrë dramatike: Në vitin 2014 për një euro paguheshin rreth 2.90 lira. Sot për një euro duhet të paguash rreth 34 lira turke.
80 përqind më shumë borxhe në një vit
Shuma, që fermerët ua kanë borxh bankave, u rrit me 80 përqind vitin e kaluar. Sipas statistikave zyrtare ata sot u detyrohen bankave 118 herë më shumë se para 19 vjetësh. Në periudhën e sipërpërmendur ndihma financiare është rritur vetëm njëzetfish, shpjegon Orhan Saribal, deputet nga partia më e madhe opozitare, Partia Popullore Republikane (CHP). Ai është inxhinier agrar dhe fermer. “Në vitin 2004 kreditë e përdorura për prodhimin bujqësor, pylltari dhe blegtori ishin 1.7 herë më shumë se ndihma shtetërore. Në vitin 2023 kreditë qenë 9.6 herë më shumë”, thotë Saribal.
Borxhet e fermerëve ndaj bankave dhe shtetit arrijnë sot në 700 miliardë lira turke (rreth 21 miliardë euro), thotë Suicmez. Duke marrë parasysh fuqinë blerëse të Turqisë, 21 miliardë euro kanë një rëndësi të madhe. Rreth 17,2 miliardë euro prej tyre u duhen kthyer bankave private, ndërsa rreth 600 milionë euro janë marrë hua nga shteti, përkatësisht nga Ministria e Bujqësisë; pjesa tjetër vjen nga firma private.
“Fermerët nuk marrin mbështetje të mjaftueshme nga shteti. Prandaj nga dëshpërimi u drejtohen bankave private”, ankohet Saribal dhe kërkon më shumë mbështetje nga shteti.
Një degë e rëndësishme për Turqinë
Sipas statistikave zyrtare bujqësia përbën rreth 5.8 përqind të vlerës së shtuar bruto të Turqisë. Në Gjermani kjo vlerë është vetëm rreth 0,8 për qind, dhe në të gjithë BE është rreth 1,4 për qind. Rreth 4.6 milionë njerëz në Turqi punojnë në bujqësi, sipas statistikave zyrtare të vitit 2022 gati 16 për qind e të gjithë fuqisë punëtore.
Fermerët i bëjnë thirrje shtetit që të bëjë më shumë për ta, sepse në fund bëhet fjalë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve. Nëse një fermer nuk mund të shlyejë borxhet, ai humbet tokën, traktorin ose kafshët e tij, ankohet Suicmez. “Për të zgjidhur problemin, duhet të pakësohen kostot e prodhimit dhe të rriten të ardhurat e fermerëve”, thotë Suicmez, duke shtuar: “Nëse kjo nuk ndodh, kostot e prodhimit do të dalin jashtë kontrollit. Si rezultat, konsumatorët mund të kundrojnë në raftet e supermarketeve produkte të caktuara, por që nuk i prekin dot me dorë, se nuk arrijnë t’i blejnë.”/DW/