Pak orë para se të mirëpresë homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakisin në Ankara, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka dhënë një intervistë për të përditshmen “Kathimerini”. Erdogan u shpreh se një prej arsyeve të takimit është përmirësimi i marrëdhënieve.
“Ne, Turqia dhe Greqia, ndajmë jo vetëm të njëjtën gjeografi, por edhe shumë elementë të përbashkët me dimension historik. Sigurisht që ka çështje për të cilat nuk jemi dakord, por numri i çështjeve për të cilat mund të biem dakord nuk është i vogël. Duke folur hapur dhe me guxim për të gjitha çështjet së bashku, ne mund të hedhim hapa drejt zgjidhjes. Zvarritja nuk i zgjidh problemet. Është e nevojshme t’i kapërcejmë ato me guxim dhe të tregojmë vullnet për t’i zgjidhur”, tha Erdogan.
Presidenti turk u pyet edhe në lidhje me detin Egje, çështje që dy vendet nuk kanë rënë dakord.
“Ngritja e çështjeve të sovranitetit nuk është një situatë që dëmton terrenin e dialogut dhe pengon përparimin e tij. Ne mund ta mbrojmë këtë terren në çdo rrethanë dhe të sigurojmë përparim. Këto çështje tashmë zënë një vend të veçantë në listën e çështjeve të cilat duhet t’i trajtojmë. Të gjithë e dinë se sa të ndjeshëm jemi ne, si Turqi, ndaj mjedisit. Megjithatë, do të ishte e gabuar ta shikoje këtë si një mbulesë të përshtatshme dhe të përpiqesh të fshehësh situata të tjera të diskutueshme pas saj”, tha presidenti turk.
Emigracioni i paligjshëm është një tjetër tjetër temë që pritet të diskutohet mes dy udhëheqësve.
“Siç theksojmë gjithmonë, në çështjen e emigracionit të parregullt duhet të ketë bashkëpunim ndërkombëtar dhe shpërndarje të barabartë të përgjegjësive. Për zgjidhje të përhershme, është e qartë se duhet të vazhdojmë të punojmë me një skemë të shumanshme. Bashkëpunimi i të gjithëve do të na hapë rrugën për të ecur përpara në një bazë të shpejtë, efikase dhe të shëndoshë”, tha Erdogan.
Sipas mediave greke Mitsotakis do të pritet sot rreth orës 15:30 nga Erdogan. Kryeministri grek dhe presidenti turk do të bisedojnë privatisht së bashku me katër bashkëpunëtorë të tyre. Në fokus të bisedimeve do të jetë Manastiri i Chores, për të cilin Mitsotakis pritet të shtrojë shqetësimin në lidhje me kthimin e tij në xhami, ndërsa Erdogan ka thënë se nuk është i interesuar për konflikte. /vizionplus.tv