Pjesa veriore e Rripit të Gazës po vuan nga një uri e vërtetë që po përhapet drejt jugut, paralajmëron drejtoresha e Programit Botëror të Ushqimit, Cindy McCain.
“Në Gaza uria është e pranishme, një zi e vërtetë në veri që po shkon drejt jugut”, tha drejtoresha i agjencisë së Kombeve të Bashkuara në një intervistë që do të transmetohet nesër nga rrjeti amerikan NBC.
“Kur ka konflikte të tilla, me kaq shumë intensitet, apo ndodhin kaq shumë gjëra, vjen zija e bukës”, tha ajo.
“Ajo që ne po kërkojmë, ajo që nuk kemi reshtur së kërkuari, është një armëpushim dhe aftësia për të hyrë në Gaza për të ofruar ndihma humanitare”, tha Cindy McCain.
Programi Botëror i Ushqimit është vetëm një nga shumë agjenci dhe organizata humanitare që përpiqen të dërgojnë ndihma humanitare në enklavën palestineze.
Situata ushqimore po përmirësohet pak në Rripin e Gazës, por rreziku i urisë mbetet, njoftoi dje Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ndihma ndërkombëtare, e kontrolluar fort nga Izraeli, rrjedh në Gaza, kryesisht nga Egjipti dhe Rafah, por mbetet e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e mëdha të 2.4 milionë banorëve të saj. /vizionplus.tv